AKTUALITET /

“Në UÇK nuk kisha pushtetin që thonë prokurorët”, Krasniqi: Populli shqiptar luftoi për liri

Shkruar nga Versus

“Në UÇK nuk kisha pushtetin që thonë

Ish-kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi foli sot në gjykatën e Hagës sa i takon akuzave ndaj tij si një prej ish-krerëve të UÇK. Kai tha se nuk qëndron në sallë si kriminel, por si një njeri që luftoi për lirinë e popullit shqiptar të Kosovës.

“Qëndroj para jush jo si një kriminel, por si një njeri i lindur dhe kalitur në luftëra për dinjitet njerëzor në një popull që refuzoi të zhdukej nga politikat e krimit dhe gjenocidit të Serbisë. Pjesën më të madh të jetës sime e kam kaluar i udhëhequr nga bindja se qeniet njerëzore meritojnë të jetojnë në liri. Pas më shumë se 5 vitesh burgim të padrejtë dhe të panevojshëm, angazhimin tim politik dhe jetësor për jetë e liri, jam angazhuar të gjitha herët. Për t’u dhënë një rrëfim të vërtetë të luftës tonë për pavarësi kundër regjimit serb, që solli vuajtje e shkatërrim të paparë për popullin e Kosovës”- tha Krasniqi.

Ndërsa shtoi se në aktakuzë i janë atribuuar role që ai nuk i ka patur brenda UÇK.

“Padrejtësia e këtij akti është e shkruar në vetë aktakuzë. Më atribuohen role që nuk i kam patur kurrë. Jam mirënjohës ndaj atyre dëshmitarëve që erdhën këtu dhe patën guximin të thonë të vërtetën për atë se çfarë isha apo nuk isha. Nuk erdhën për të më mbrojtur mua, por për të mbrojtur faktet. Dëshmitë e tyre treguan një realitet të thjeshtë, nuk zotëroja pushtetin apo komandën që më atribuohen në këtë rast”- shtoi ai.

Krasniqi përsëriti se populli shqiptar nuk ka luftuar kurrë për të shkatërruar apo pushtuar një komb tjetër dhe nënvizoi faktin se për mbrojtjen e tyre ndërhyri edhe NATO.

“E gjithë bota e di se NATO ndërhyri kundër krimeve të kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë. NATO nuk është rreshtuar kurrë me genocidin. Veprimet e mia dhe të UÇK si gjatë luftës edhe pas saj, i dhanë përparësi paqes dhe kjo është dëshmuar.

Ne qëndrojmë këtu padrejtësisht, por historia do ta kuptojë pse vepruam. Çdo komb që ka kërkuar lirinë është përballur me akuza se rezistenca është kriminale. Populli ynë kurrë nuk ka kërkuar shkatërrimin e një kombi tjetër, luftuam vetëm për jetën, lirinë, barazinë dhe drejtësinë. Jo për të kontrolluar apo dominuar territor e përfitim kriminal”- u shpreh Krasniqi. Versus.al

Poll