Live Updates /

Gjyqi në Hagë, deklaratat përfundimtare të ish-krerëve të UÇK: Jemi të pafajshëm, luftuam për liri! Gjykata 3 muaj kohë për të vendosur

Në Gjykatën Speciale në Hagë zhvillohet sot një nga seancat më të rëndësishme të procesit ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. *Ish krerët e UÇK-së do të japin fjalën e tyre të fundit përpara shpalljes së vendimit. *Avokati i ish-kryeministrit Hashim Thaçit, Luka Mishetiç tha se nuk ka asnjë provë që ai ka pasur rol në kryerjen e krimeve apo ka transmetuar “qëllimin e përbashkët kriminal”.

Shkruar nga Versus

Çfarë do të gjeni në brendësi

Në Gjykatën Speciale në Hagë zhvillohet sot një nga seancat më të rëndësishme të procesit ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. *Ish krerët e UÇK-së do të japin fjalën e tyre të fundit përpara shpalljes së vendimit. *Avokati i ish-kryeministrit Hashim Thaçit, Luka Mishetiç tha se nuk ka asnjë provë që ai ka pasur rol në kryerjen e krimeve apo ka transmetuar “qëllimin e përbashkët kriminal”.

6 Postime
4 ORE ME PARE

“Paqja arrihet duke u përballur me agresionin”, Selimi-gjyqtarëve në Hagë: Edhe ju do të luftonit

Gjyqi në Hagë, deklaratat përfundimtare të ish-krerëve
Rexhep Selimi

Rexhep Selimi, njëri prej ish-drejtuesve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë për krime lufte, mbajti fjalën e tij përmbyllëse ndaj akuzave dhe pretencës së prokurorëve specialë.

Ai tha se do të ishte i gatshëm të luftonte deri më sot nëse lufta do të kishte vazhduar. Ndërsa tha se dënimet që prokurorët kërkojnë, synojnë t’u ndalojnë rikthimin në atdheun e lirë.

“Edhe nëse lufta nuk do ndalej dhe do vijonte deri në ditën e sotme, ende do të isha ushtar i atdheut tim nëse nuk do të isha vrarë deri më tani. Jam i bindur se bëmë gjënë e duhur. Liria, paqja dhe demokracia arrihen duke u përballur me agresionin. Prandaj edhe NATO e vendet tuaja na mbështetën.

Prokuroria kërkon dënime aq të gjata sa synojnë të na ndalojnë kthimin përgjithmonë në vendin tonë. Koha se kur do të kthehemi në Kosovë varet nga vendimi juaj, por kurdo që të kthehem do të kthehem në Kosovën e lirë për të cilën jam krenar që i kam dalë Zot dhe për lirinë e të cilës kam qenë dhe jam i gatshëm të jap jetën kurdoherë.  Edhe ju do të vepronit njësoj. Jam i bindur se edhe ju do të luftonit për lirinë e vendeve tuaja, ashtu siç kanë bërë paraardhësit tuaj”- deklaroi Selimi. Versus.al

 

4 ORE ME PARE

Gyqi në Hagë/ Kadri Veseli: Në momentet më të errëta s’e humba kurrë besimin se liria do të triumfonte!

Gjyqi në Hagë, deklaratat përfundimtare të ish-krerëve
Kadri Veseli

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka marrë fjalën në seancën përfundimtare të gjykimit në Hagë, duke theksuar pafajësinë e tij, por edhe dhimbjen për viktimat pa dallim etnik. Veseli e nisi fjalimin duke uruar festën e Pavarësisë për vendin e tij dhe duke theksuar se trashëgimia e gjykatës është mbrojtja e të vërtetës dhe paanësisë.

Ai shprehu se ka bashkëndjerë dhe ka keqardhje për të gjitha viktimat në Kosovë, duke kujtuar se gjatë fillimit të konfliktit ishte student në Zyrih dhe nuk kishte asnjë plan për dhunë, ndërsa dhuna dhe masakrat ishin veprimet e regjimit të Slobodan Millosheviçit.

“Pjesëmarrja ime në luftë nuk lindi nga dëshira për konflikt, por për të mbrojtur lirinë dhe dinjitetin e popullit tim. Në vitet ’90 u largova nga Kosova për një jetë më normale, por vendi im po përjetonte vuajtje të thella. Historia më mëson se ata që vendosin paqe shpesh përballen me pasoja,” tha Veseli.

Ai shtoi se krijimi dhe funksionimi i Gjykatës është rezultat i një debati të gjerë dhe se drejtësia duhet të mbizotërojë mbi çdo interes, duke garantuar paanshmëri dhe respektimin e fakteve objektive.

Veseli përmendi edhe tragjedinë e Prekazit, duke e përshkruar si pjesë të një vale të masakrave të kryera nga forcat serbe, duke theksuar se qëllimi i tij ka qenë gjithmonë të kontribuojë për lirinë e popullit të Kosovës.

Ai përfundoi fjalimin me një mesazh për vendin e tij:
“Urime Pavarësia! Ta gëzoni lirinë! Zoti e ndihmoftë Kosovën dhe njerëzit e saj të mirë.”

Fjala e plotë e Kadri Veselit:

Në fund të gjykimit tim po ju drejtohem për të theksuar një pikë të vetme por të jashtëzakonshme prej rëndësie. Gjykata duhet me çdo kusht të mbrojë të vërtetën dhe paanësinë. Është trashëgimia që do të mbetet prej saj. Ky është shkaku pse iu bashkova grave e burrave që u rreshtuan për lirinë e Kosovës dhe i kam shërbyer vendit tim që të gjithë ta njohin të vërtetën.

Në momentet më të errëta s’e humba kurrë besimin se liria dhe e drejta do të triumfonin. Populli i Kosovës kishte të drejtën e patjetërsueshme për të jetuar me liri e dinjitet. Kam besuar se vuajtjet do të merrnin fund. Nuk kam besuar kurrë se dhuna, urrejtja e hakmarrja mund të jenë udhërrëfyes. Liria s’mund të arrihet përmes padrejtësisë.

Paqja s’mund të ndërtohet mbi krim. Ky s’ka qenë parim teorik, por bindje morale që ka udhëhequr çdo veprim timin”, Familja ime dhe unë kemi jetuar nën persekutim të vazhdueshëm. Kjo ka prekur secilin anëtar të saj, por edhe popullin tim. Burrat, gratë, fëmijët përballeshin çdo ditë me padrejtësi e frikë. E di ç’do të thotë të jetosh i pambrojtur dhe nën kërcënim të vazhdueshëm. Nuk ia uroj askujt”, Pas dekadash hetimesh, dokumentesh dhe dëshmish të panumërta, nuk ka asnjë provë që të tregojë se kam kryer ndonjë krim.

Nuk është provuar asnjë veprim i kundërligjshëm nga ana ime. Kjo nuk është çështje interpretimi, kjo është çështje fakti”, “Pjesëmarrja ime në luftë nuk lindi prej dëshirës sime për konflikt. Kam dëshiruar një jetë të thjeshtë, të jetoja në paqe me familjen time. Kam qenë student kur u shfuqizua autonomia e Kosovës dhe universiteti u sulmua nga forcat serbe. Të gjitha të drejtat na janë mohuar, autonomia e Kosovës u hoq dhe ne studentët u përjashtuam nga konviktet. U përfshiva për të jetuar si qytetar i lirë dhe i barabartë. E vërteta e asaj që po ndodhte dihej botërisht: Serbia dhe Millosheviçi kërkonin kontrollin mbi të gjithë popujt e Jugosllavisë.

Në vitet ’90 jam larguar nga Kosova, një largim i detyruar, në kërkim të një mundësie për një jetë më normale. Por, ndërsa unë jetoja në një vend të lirë, vendi im po përjetonte vuajtje të thella. Gjendja në Kosovë ishte shndërruar në përjashtim të shumicës

Historia na mëson se ata që vendosin paqe, shpesh përballen me pasoja. Duke parë realitetin e sotëm kur bota ka aq shumë nevojë për paqe, është e qartë se nuk arrihet gjithmonë lehtë. Krijimi i kësaj gjykate dhe funksionimi i saj është rezultat i një debati të gjerë në vendin tim. Ajo që duhet të mbizotërojë prej saj është drejtësia dhe paanshmëria e së vërtetës dhe realitetit objektiv që kemi vepruar ne. E vërteta s’ka arsye të ketë frikë nga drejtësia. Drejtësia mund të vonohet, por nuk mohohet kurrë. Sot këtu para jush qëndroj me këtë bindje. Unë e di kush jam, çfaë kam bërë e çfarë jo. Ndërgjegjja ime është e pastër. Historia ime është transparente.

Tani çdokush mund ta shohë. Ne të gjithë jemi qenie humane me prirje e mendime të ndikuara nga ata që na rrethojnë. Besimi im te e vërteta dhe drejtësia mbetet i palëkundur. Dua të besoj fuqishëm se në vendimin tuaj do të  mbizotërojë  e vërteta, paanësia, drejtësia dhe ligji Tragjedia në Prekaz nuk ka qenë një akt i izoluar, por vazhdim i masakrave të kryera nga forcat serbe. Ishte akt terrori që tejkaloi frikën normale të popullit të thjeshtë dhe tronditi edhe intelektualët e politikanët. Terrori dhe masakrat, si ato në Srebrenicë, kishin nisur të shfaqeshin edhe në vendin tim.

Nuk mund të qëndroja indiferent kur populli im po përballej me shkatërrim. Jeta kishte kuptim vetëm nëse populli im mund të jetonte në liri, jo si ushtar i dhunuar, por si individ në studime dhe në jetë normale. Jo me urrejtje, por me bindje e ndjeva detyrim moral ndaj vendit tim. Qëllimi im ishte të kontribuoja për lirinë e popullit tim

Urime Pavarësia! Ta gëzoni lirinë! Zoti e ndihmoftë Kosovën dhe njerëzit e saj të mirë. Versus.al

 

 

4 ORE ME PARE

Gjyqi në Hagë, Thaçi: Jam i pafajshëm! Millosheviç po bënte plane për një gjenocid të ri në Kosovë!

Gjyqi në Hagë, deklaratat përfundimtare të ish-krerëve

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë fjalën para Gjykatës në Hagë gjatë seancës përfundimtare të deklaratave përmbyllëse.

Ai filloi fjalimin duke uruar qytetarët për Festën e Pavarësisë së Kosovës, duke e përshkruar atë si një moment historik dhe madhështor për atdheun.

Thaçi deklaroi tërësisht pafajësinë e tij për akuzat që rëndojnë mbi të, duke theksuar se provat e Prokurorisë nuk qëndrojnë.

Megjithatë, ai shprehu keqardhje për të gjitha viktimat, pa dallim etnik, duke nënvizuar se gjatë masakrave të fillimit të vitit 1998 ishte student në Zyrih dhe nuk kishte plane për të marrë kontrollin e Kosovës.

Ai e akuzoi Slobodan Millosheviçin si autor të planeve për gjenocid në Kosovë dhe theksoi se u detyrua të largohej nga vendi për shkak të ndjekjes dhe dënimit të tij në mungesë nga regjimi serb.

''Më 17 shkurt 2008 duke ndier rrahjet e zemrave të stërgjyshërve tanë shpallëm Kosovën shtet të pavarur e sovran. Dëshrioj që sot nga kjo sallë t’u përcjell  urimet më të përzemërta të gjithë qytetarëve për këtë festë madhështore. Për gati 3 vjet keni dëgjuar akuzat e Prokurorisë dhe argumentet e mbrojtjes. Keni parë faktet, keni dëgjuar të vërtetën. Është vetëm një: akuzat nuk qëndrojnë. Unë jam plotësisht i pafajshëm, por kam thënë dhe them me bindje të plotë: unë bashkëndiej dhe shpreh keqardhje për të gjitha viktimat në Kosovë pa marrë parasysh përkatësinë etnike. Në kohën e masakrave në fillim të vitit 1998 unë isha student në Zyrih. Nuk po bëja plane si ta merrja kontrollin në Kosovë, por për provimet në universitet. I vetmi njeri që po bënte plane morbide ishte Slobodan Milosheviç. Plane për një gjenocid të ri në Kosovë. Prandaj, si shumë qytetarë të tjerë kosovarë, u detyrova ta lëshoja Kosovën sepse regjimi i Milosheviçit më kishte ndjekur. Ai më kishte dënuar në mungesë me akzuën se kisha shkelur ligjet e tij diskriminuese”, tha Thaçi./Versus.al

7 ORE ME PARE

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, avokati i Rexhep Selimit sulmon Prokurorinë: Vetë ZPS-ja ndjehet e turpëruar nga argumentet që ka

Gjyqi në Hagë, deklaratat përfundimtare të ish-krerëve

Mbrojtja e Kadri Veselit përfundoi fjalën, duke i hapur rrugën Rexhep Selimit.

Avokati i Selimit, Geoffrey Roberts, gjatë fjalës përmbyllëse të mbrojtjes, kritikoi ashpër Prokurorinë e Specializuar, duke thënë se “i vjen turp” për pretendimet që i ka drejtuar klientit të tij.

“Vetë ZPS-ja ndjehet e turpëruar nga argumentet që ka për Selimin. Asnjë përfundim nuk mund të arrihet nga parashtrimet e së hënës apo nga dosja përfundimtare e tyre. Nëse ata nuk janë të bindur për pretendimet e veta ndaj Selimit, si mund të kërkojnë që ju të bindeni?”, deklaroi ai në fillim të fjalës së tij./Versus.al

7 ORE ME PARE

Avokati i Thaçit akuzon Prokurorinë: Premtuan spektakël, por nuk sollën asnjë provë

Gjyqi në Hagë, deklaratat përfundimtare të ish-krerëve
Avokati i Thaçit, Luka Mishetiç

Avokati i ish-kryeministrit Hashim Thaçit, Luka Mishetiç tha se nuk ka asnjë provë që ai ka pasur rol në kryerjen e krimeve apo ka transmetuar “qëllimin e përbashkët kriminal” të të akuzuarve, apo të ketë pasur rol në hartimin dhe shpërndarjen e komunikatave të UÇK-së.

“Mbrojtja e di që ju do e bëni punën tuaj i nderuar gjykatës, dhe ju do të pranoni konsensusin, pra provat që kemi ju kanë përshkruar juve. Në fakt është Prokuroria ajo që nuk dëshiron që ju të bëni punën tuaj. Ata duan që ju të bëni punën e atyre, ata duan që ju të gjeni prova që ata nuk arrinin të gjenin. Por siç e thashë të hënën, barra e provës bie mbi ZPS-në dhe vetëm mbi ZPS-në, dhe ata dështuan për këtë”, tha ai.

Sipas tij, Zyra e Prokurorit të Specializuar bëri “mëkat të madh”, pasi sipas tij, premtoi shumë, por nuk i mbështeti pretendimet me prova.

“Ata kanë premtuar fishekzjarrë, spektakël, por nuk kanë paraqitur asgjë”, tha avokati.

Luka Mishetiç ka akuzuar Prokurorinë e Specializuar se ka fshehur provat deri në dosjen përfundimtare, pasi sipas tij, e ka ditur që mbrojtja do ta sulmonte dhe do t’i hidhte poshtë këto dëshmi.

Ai theksoi se Prokuroria po ndryshon paraqitjen e provave në kundërpërgjigjet e tyre. Mishetiç përmendi edhe dëshminë e Bislim Zyrapit, duke theksuar se ai nuk ishte dëshmitar i besueshëm.

“Të mërkurën i kërkuam Prokurorisë të na shpjegonte se si arriti në këtë përfundim, kur Zyrapi ishte i pranishëm në takimet e UÇK-së dhe Zyrapi nuk ishte anëtar i NPK-së. Ne nuk morëm asnjë përgjigje, dhe arsyeja për këtë është se Prokuroria nuk ka asnjë përgjigje. Për ne kjo nuk ka kuptim”, tha Mishetiç.

11 ORE ME PARE

Gjyqi në Hagë, ish krerët e UÇK-së flasin sot para shpalljes së vendimit

Gjyqi në Hagë, deklaratat përfundimtare të ish-krerëve

Në Gjykatën Speciale në Hagë zhvillohet sot një nga seancat më të rëndësishme të procesit ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi do të japin fjalën e tyre të fundit përpara shpalljes së vendimit. Secili prej tyre do të ketë në dispozicion nga 20 minuta për t’iu drejtuar trupit gjykues.

Katër të akuzuarit ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë që prej nëntorit 2020 dhe përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat janë deklaruar të pafajshëm. Prokuroria Speciale ka kërkuar dënim me nga 45 vite burg për secilin, pra 180 vite në total, kërkesë e bërë publike më 9 shkurt gjatë deklaratave përmbyllëse.

Prokurorja e çështjes, Kimberly West, deklaroi se akuzat nuk e kanë humbur peshën me kalimin e kohës dhe se çështja lidhet me pretendimin se të akuzuarit synonin të fitonin dhe ushtronin kontroll në gjithë Kosovën. Sipas saj, ata akuzohen për vrasjen e rreth 100 personave dhe torturimin e qindra të tjerëve në afro 50 qendra ndalimi, duke i cilësuar këto si krime të rënda lufte dhe kundër njerëzimit.

Sipas aktakuzës, krimet pretendohet të jenë kryer mes marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në disa zona të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, duke përfshirë ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë, vrasje të paligjshme, burgosje, zhdukje me forcë dhe përndjekje.

Një ditë më parë, ndërsa Kosova shënoi 18-vjetorin e Pavarësisë, në Prishtinë u mbajt një protestë masive me moton “Drejtësi, jo politikë”, ku morën pjesë edhe përfaqësues të lartë shtetërorë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Aktakuza ndaj katër ish-udhëheqësve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe pas publikimit, më 5 nëntor të atij viti, ata u transferuan në paraburgim në Hagë. Pas fjalëve përmbyllëse, çështja i kalon trupit gjykues, i cili ka deri në tre muaj kohë për të shpallur vendimin ose për të kërkuar shtyrje të afatit.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar u krijuan në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës; ato janë pjesë e sistemit gjyqësor kosovar, por funksionojnë me staf ndërkombëtar dhe me seli në Holandë.

Poll