AKTUALITET /

Nga e premtja në krye të SPAK, Braho merr sot detyrën nga Dumani

Braho do të drejtojë SPAK-un për 3 vite.

Shkruar nga Versus
Nga e premtja në krye të SPAK, Braho merr sot detyrën nga Dumani
Altin Dumani, Klodian Braho

Sot në orën 10:00 në Prokurorinë e Posaçme mbahet ceremonia e kalimit të detyrës së kreut të SPAK nga Altin Dumani te kryetari i ri Klodian Braho i cili u zgjodh me 7 vota të anëtarëve të KLP-së.

Për SPAK ky është një moment i rëndësishëm për sigurimin e vazhdimësisë dhe forcimin e mëtejshëm të punës së këtij institucioni.  Braho zyrtarisht është në krye të SPAK që prej të premtes së 18 dhjetorit, por ceremonia u caktua për t’u mbajtur ditën e sotme.

Për 3 vite, Braho do të drejtojë SPAK-un deri në përfundim të mandatit 9 vjeçar si prokuror i posaçëm. Dumani e mbyll ciklin e tij në krye të SPAK me kërkesat e vazhdueshme për t’u dhënë prokurorëve të SPAK mundësinë e rikandidimit.

Kush është Klodian Braho?

Klodian Braho u emërua prokuror më 14 nëntor 2007, duke filluar kështu një rrugëtim të gjatë profesional që e ka çuar në një nga pozicionet më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë shqiptare.

Deri në vitin 2012, Braho shërbeu si prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, ndërsa për tre vite të tjera më pas, ushtroi funksionin e prokurorit pranë Prokurorisë së Vlorës, ku njëkohësisht mbajti edhe detyrën e zëvendës drejtuesit (2014–2015). Në Prokurorinë e Vlorës spikati me një dosje të bujshme, ajo ndaj ish kryebashkiakut Shpëtim Gjika. Braho e hetoi dhe e çoi në gjyq kryebashkiakun e Vlorës për për shpërdorim detyre dhe falsifikimin e dokumenteve në dhënien e lejeve të ndërtimit.

Karriera e Klodian Brahos tij do të marrë një kthesë të rëndësishme në vitin 2015, me emërimin e tij në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Gjatë katër viteve në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, një prej dosjeve më të bujshme të Klodian Brahos ishte ajo për hetimin e ish- Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, një ndër çështjet e para që u bënë simbol për llogaridhënien në nivelet e larta të sistemit të drejtësisë.

Në punën e tij si prokuror i SPAK, Braho ka pasur në duar çështje me një ndikim të gjerë publik. Ai është prokurori që hetoi rastin e inceneratorit të Elbasanit, duke lëshuar urdhër-arrest për persona kyç si Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, si dhe duke veçuar hetimin për ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetaj. Dosja e inceneratorit të Elbasanit është e vetmja që tashmë ka një vendim të formës së prerë, me 9 të dënuar, mes të cilëve ish ministri i Mjedisit Lefter Koka që u dënua me 6 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar për korrupsion, pastrim parash dhe shpërdorim detyre, dënim të cilin Braho e kërkoi dhe e mori në Apelin e GJKKO.

Po ashtu, prokurori Braho ka udhëhequr hetimin e dosjes “5D”, ku në gjyq përfunduan ish-drejtorë të Bashkisë së Tiranës. Një tjetër çështje e rëndësishme e ndjekur prej tij është dosja “Toyota Auris”, e cila përfshin disa fraksione hetimore dhe persona të drejtësisë. Braho është gjithashtu pjesë e grupit të prokurorëve që kanë firmosur dosjen ndaj ish-ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili ndodhet nën proces gjyqësor për “shpërdorim detyre” në lidhje me masakrën e Gërdecit. Versus.al

Poll