![]()
Një nga figurat që ka mbajtur një nga postet më të ndjeshme të sigurisë kombëtare ka përfunduar përballë drejtësisë. Prokuroria e Beratit njoftoi se, me kërkesë të saj, Gjykata e Shkallës së Parë ka shpallur fajtor dhe dënuar ish-drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror në Berat, Pandeli Shulla, për organizim dhe ushtrim të paligjshëm të lojërave të fatit.
Sipas vendimit të gjykatës, Shulla, i cili ka ushtruar detyrën si drejtues i SHISH-it në nivel vendor, është dënuar fillimisht me 2 vite burgim. Në zbatim të gjykimit të shkurtuar, dënimi u ul me një të tretën, duke u konvertuar në 1 vit e 4 muaj burg. Gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit, duke e lënë ish-zyrtarin e sigurisë shtetërore në provë për një periudhë prej 2 vitesh e 8 muajsh.
Hetimet zbuluan se në një lokal në lagjen “30 Vjetori” në Berat, i administruar nga Pandeli Shulla, zhvilloheshin lojëra fati online në kundërshtim me ligjin. Gjatë kontrollit, u konstatuan kompjuterë të ndezur, në të cilët shfaqeshin lojëra të ngjashme me ato të “Adex Casino”. Ekspertiza teknike provoi se përmes aplikacioneve dhe lidhjes me internetin realizohej aktivitet i paligjshëm i basteve dhe kazinove online.
Rasti mori përmasa edhe më të rënda gjatë kontrollit të banesës, ku jetonte djali i tij, Aleksandër Shulla, ish-punonjës i Shërbimit Informativ të Shtetit. Aty u gjetën krehëra dhe fishekë të kalibrit 7.62 mm, si dhe dy pajisje USB që përmbanin materiale të klasifikuara në nivelin “sekret”, të cilat administrohen nga SHISH në kopje të vetme.
Edhe pse ish-drejtori i SHISH-it pretendoi se municioni ishte harruar në banesë pas largimit nga detyra dhe se fishekët ishin marrë si “suvenirë”, verifikimet e prokurorisë provuan se armatimi ishte dorëzuar zyrtarisht dhe se mbajtja e municionit ishte e pajustifikuar dhe e paligjshme.
Gjykata shpalli fajtor Aleksandër Shullën për dy vepra penale të rënda: “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit” dhe “Tregimi i sekretit shtetëror nga personi që i është besuar”. Dënimi përfundimtar për të u caktua 1 vit e 4 muaj burg, gjithashtu me pezullim, ndërsa gjykata i hoqi atij të drejtën për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh. / VERSUS

