Është ndarë nga jeta në moshën 99-vjeçare aktori i njohur i teatrit dhe kinematografisë shqiptare, Koço Qëndro, një prej figurave më të spikatura të artit skenik në vend.
I lindur më 15 maj 1927 në Senicë të Delvinës, ai e ndërtoi karrierën e tij artistike kryesisht në Korçë, ku u bë një nga themeluesit dhe emrat më përfaqësues të teatrit dhe estradës profesioniste.
Përgjatë dekadave, Qëndro interpretoi qindra role në teatër dhe film, duke fituar vlerësimin e publikut dhe të kritikës.
Një nga interpretimet më të njohura të tij mbetet roli i Harpagonit në komedinë "Kopraci" të Molierit, personazh që e solli në skenë në periudha të ndryshme të jetës, duke dëshmuar përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm ndaj artit edhe në moshë të thyer.
Në kinematografi, Koço Qëndro la pas një trashëgimi të vyer me interpretimet në filma të njohur si "I teti në bronz", "Përballimi", "Agimet e stinës së madhe", "Vendimi" dhe shumë produksione të tjera që zënë një vend të rëndësishëm në historinë e filmit shqiptar.
Me ndarjen e tij nga jeta, arti shqiptar humbet një prej ikonave të skenës dhe ekranit, ndërsa publiku një artist që la gjurmë të pashlyeshme në kulturën kombëtare./Versus.al

