Hetimet për vrasjen e Eglant Koçit kanë marrë një drejtim të ri, pasi nga ekspertiza e pajisjeve elektronike të sekuestruara në biznesin e Armand Shakajt janë zbuluar të dhëna që lidhen me llogari të kriptomonedhave.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, kompjuterët janë analizuar në Laboratorin Kriminalistik, ku janë gjetur materiale që mund të hedhin dritë mbi motivin e ngjarjes.
Zbulimet e fundit kanë forcuar dyshimet se krimi mund të ketë ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve financiare të lidhura me aktivitetin në fushën e kriptomonedhave.
Për këtë arsye, nuk përjashtohet mundësia që akuza ndaj Armand Shakajt të ndryshojë gjatë vijimit të hetimeve.
Ngjarja tronditi opinionin publik, pasi sipas hetimeve paraprake, Eglant Koçi dyshohet se u vra nga miku i tij, Armand Shakaj.
Pas krimit, ky i fundit dyshohet se transportoi trupin e pajetë dhe e hodhi në një humnerë në një zonë të thellë të qarkut të Elbasanit, në përpjekje për të fshehur gjurmët.
Armand Shakaj vijon të jetë në kërkim nga autoritetet, ndërsa policia dhe prokuroria po punojnë për lokalizimin e tij dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Provat e siguruara nga pajisjet elektronike pritet të kenë një rol kyç në zbardhjen e motivit dhe dinamikës së vrasjes./Versus.al

