Sinodi i Shenjtë do të mblidhet të dielën për të zgjedhur kryepeshkopin e ri, i cili do të zëvendësojë kryepeshkopin e ndjerë, Anastas Janullatos,
Zgjedhja do të realizohet në Dielën e Dytë të Kreshmës, pas Liturgjisë Hyjnore, dhe do të ndjekë dispozitat e Statutit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Sipas Sekretares së Sinodit të Shenjtë, procesi i zgjedhjes do të zhvillohet në Qendrën Sinodike dhe do të jetë një moment i rëndësishëm për Kishën Ortodokse, pasi do të përcaktojë udhëheqësin e ri të Kishës dhe të besimtarëve ortodoksë në Shqipëri.
Sinodi dhe një takim kleriko-laik do të propozojnë emra, më pas, përmes votimit, do të vendoset kush do të jetë Kryepeshkopi i ardhshëm.
Anastas Janullatos, i cili udhëhoqi Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë për më shumë se 30 vjet, u shua më 25 janar 2025, pasi nuk mundi të fitonte betejën me sëmundjen. Janullatos ishte zgjedhur Kryepeshkop i Kishës Ortodokse në Qershor të vitit 1992 dhe më 2 Gusht të po atij viti u fronëzua si Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në Kishën Katedrale të Tiranës.







