AKTUALITET /

Pastronte paratë e kokainës së klanit Çopja, rrëzohet kërkesa e Klajdi Merkajt për t’u liruar nga qelia

Shkruar nga Versus
Pastronte paratë e kokainës së klanit Çopja, rrëzohet
Foto montazh: Klajdi Merkaj në të dy anët dhe kreu i klanit "Çopja", Franc Çopja

Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka rrëzuar kërkesën e Klajdi Merkaj për zëvendësim të masës së sigurisë “arrest në burg”.  Vendimi u dha mëngjesin e kësaj të premte nga gjyqtari i çështjes Bib Ndreca.

35 vjeçari u ekstradua në muajin nëntor të vitit 2024 nga Italia në drejtim të Shqipërisë, pasi ndaj tij GjKKO kishte caktuar masën “arrest në burg”, për veprën penale  “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.

Merkaj njihet si mik i ngushtë i vëllezërve Çopja, ndërsa nga hetimet e SPAK deri më tani, dyshohet se i riu pastronte paratë e Hajdar dhe Franc Çopjas.

Dje SPAK njoftoi konfiskimin e kriptovalutave me vlerë 10 milionë dollarë në pronësi të vëllezërve Hajdar e Franc Çopja, të cilëve më herët u janë sekuestruar dhjetëra prona e pasuri të paluajtshme nën dyshimin se janë siguruar falë veprimtarive kriminale. 

Hajdar Çopja u arrestua në Dubai në maj të vitit 2024 dhe ende nuk dihet nëse do të bëhet i mundur ekstradimi i tij drejt Shqipërisë, ndërsa vëllai i tij Franc Çopja u bë personi i parë që ekstradohej nga Dubai drejt Belgjikës ku ishte i dënuar për trafik droge. 

Çopjat njihen si klan i fuqishëm në Elbasan të përfshirë në masakrën e Bradasheshit ku ekzekutuan 3 persona, ndërsa dosjet e hetuara nga SPAK zbardhën përgjimet mes tyre në aplikacionin "Sky Ecc" ku planifikonin atentate ekstreme kundrejt Erion Alibejt, duke përfshirë edhe vrasjen e tij teksa mbahej në paraburgimin e Elbasanit. Versus.al

Poll