AKTUALITET /

“Për Hamza Licin nuk u hapën dyert e mortit”, gazetarja: Dyshohet se brenda banesës mund të ketë qenë Ibrahimi

Gazetarja Klodiana Lala tha se policia nuk kreu kontrolle në banesën e Licëve pavarësisht faktit dhe dyert e mortit nuk u hapën.

Shkruar nga Versus

“Për Hamza Licin nuk u hapën dyert e mortit”, gazetarja:

Pas masakrës së Dobraçit ku mbetën të vrarë 4 persona, në shtëpinë e 23 vjeçarit Hamza Lici, si asnjëherë më parë, nuk u hapën dyert e mortit.

Gazetarja Klodiana Lala në emisionin “Opinion” ngriti dyshimet se dyshohet që Ibrahim Lici, i cili sipas saj ka qenë personi “misterioz” që shfaqet në video pas ngjarjes, mund të jetë fshehur në banesën e tij. Duke e cilësuar këtë si diçka të pazakontë për traditat e familjeve në veri, gazetarja tha se policia duhej ta kishte kontrolluar banesën e Licëve.

“Nuk mund ta jap definitivisht, por unë mendoj që Ibrahim Lici ka qenë në atë makinë. Ajo çka më bën dyshime është një gjë. Lictë nuk e hapën, siç i themi ne në veri, derën e mortit, nuk pritën askënd. Ishte e para herë që në Shkodër varrimi i Hamza Licit u bë me dyer të mbyllura dhe nuk u pranua askush. Unë mendoj që policia do duhej të kishte shkuar dhe të bënte kontroll brenda në banesë. Ky është dyshimi im. A mund të ngrej dyshime unë si gazetare që ai mund të ketë qenë brenda në banesën e tij dhe mund të ketë marrë kurim aty? Ky është një dyshim. E dyta gjurmët e gishtërinjve që janë gjetur në pistoletë dhe në automjet janë gjurmë jo të plota. Duan një hetim më të thelluar, sepse duhet të kesh disa elementë për ta identifikuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm”, tha Lala.

Sipas detajeve të zbuluara nëpërmjet burimeve pranë policisë, dyshohet se Ibrahim Lici ka qenë personi i tretë brenda makinës me të cilën udhëtonin Hamza Lici dhe Arlind Bushati të cilët mbetën të vdekur nga breshëria e plumbave. Dyshohet se ka mbetur i plagosur me dy plumba dhe forcat policore kanë kryer kontrolle në disa klinika private ku dyshohet se mund të ketë marrë ndihmë mjekësore, por pa arritur rezultate. Versus.al

Poll