Një sherr i ndodhur për një femër, ka sjellë plagosjen e rëndë të një të riu shqiptar. Bëhet fjalë përnjë 28-vjeçar i cili ka marrë plagë të rënda me thikë.
Autor i kësaj plagosje të rëndë, është një italian, 46-vjeçar. Ngjarja ka ndodhur gjatë natës së djeshme në Monsampolo, në Ascoli Piceno, Itali.
Ngjarja ka ndodhur në rrugë, ku dy personat fillimisht janë përfshirë në një sherr të dhunshëm. Situata u përshkallëzua shpejt kur të dy nxorën thikat dhe filluan të godasin njëri-tjetrin ashpër. 28-vjeçari shqiptar ishte ai që pësoi plagët më të rënda dhe u transportua menjëherë me kod të kuq në spitalin Torrette në Ankona me helikopter. Pavarësisht seriozitetit të gjendjes së tij, burimet bëjnë të ditur se nuk është në rrezik për jetën.
46-vjeçari italian, pasi u trajtua në urgjencën e spitalit San Benedetto, u arrestua nga policia e cila ndërhyri me shpejtësi gjatë ngjarjeve.
Në qendër të sherrit të dhunshëm, siç u tha dhe më lart, është një grua, megjithëse detajet specifike të çështjes janë ende në shqyrtim. Policia po punon për zbardhjen e të gjitha detajeve të kësaj historie dramatike.







