
Vlorë- Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi dënimin me 18 vite burg për ish-policin Arjan Tase, autorin e aksidentit të rëndë me skaf, si pasojë e të cilit mbeti e vdekur 7 vjeçarja Jonada Avdiaj.
Në maj të 2024-ës, Arjan Tase u shpall fajtor për ‘vrasje me dashje’ parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.
Si ndodhi tragjedia
Në gushtin e 2022 Familja Avdia, me origjinë nga Tropoja, kishte ardhur për pushime në atdheun e tyre, pasi prej vitesh jetonin në Angli.
Më 02 gusht 2022, në Potam të Himarës, Arjan Tase ka qenë duke drejtuar skafin dhe pasi ka lënë disa persona në breg të detit, kur është nisur për të dalë nga zonë (brenda kordonit të sigurisë) ku notonte babai me vajzën e tij Jonada, mjeti ka marrë shumë shpejtësi duke shkuar në drejtim të tyre dhe në marrjen e kthesës motorat e tij kanë kapur vajzën e mitur duke e prerë në të gjithë trupin.
Tragjedia shokoi të gjithë opinonin publik, ndërsa u pasqyrua edhe në mediat e huaja duke qenë se e mitura kishte shtetësi britanike. Gjyshërit e vajzës së ndjerë, e konsideruan të drejtë vendimin e gjykatës për dënimin e Tases, por më herët kanë këmbëngulur se duhen hetuar edhe persona të tjerë dhe se përgjegjës nuk ka qenë vetëm ish-polici. Versus.al







