
Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë “Burg me afat 50 ditor" ndaj shtetasit italian Salvadore Di Tella, pasi akuzohet për veprën penale “vrasje nga pakujdesia” të kunatit të tij me Jet Ski.
Gjykatësja Arta Llazari kërkoi grumbullimin e të gjitha provat mjeko-ligjore dhe ekspertizën navale.
I akuzuari është përfaqësuar nga avokati Arbër Rraja, i cili ka deklaruar në sallën e gjyqit se ngjarja ka qenë aksidentale teksa të rinjtë po argëtoheshin.
Në seancën me dyer të mbyllura ishin të pranishëm babai i të akuzuarit bashkë me konsullin italian në Shkodër.
Aksidenti tragjik ndodhi në plazhin e Velipojës të dielën e 18 gushtit.
19-vjeçari italian Nicola Lorio kishte ardhur për pushime në vendin tonë, por humbi jetën si pasojë e manovrave të rrezikshme që po kryente me kunatin e tij me Jet Ski. I riu ndërroi jetë në spitalin e Shkodrës për shkak të plagëve të rënda në kokë dhe qafë./ Versus.al







