Astrit Avdylaj, kreu i bandës së Shijakut, i cili u arrestua dy ditë më parë pasi ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Revanshi” është lënë në burg pas seancës së zhvilluar sot në GJKKO.
I dënuar më parë për vrasje dhe i akuzuar për trafik droge dhe grup kriminal, Avdylaj nuk dha asnjë deklarim para gjyqtarëve.
Pas zbardhjes së përgjimeve në aplikacionin e “Sky Ecc”, Astrit Avdylaj rezultonte i përfshirë në planet e ish deputetit të PS, Arben Ndoka për eleminimin fizik të vëllezërve Valter e Durim Bami. Avdylaj dhe nipi i tij Aldo Avdyli përmenden 157 herë, në rolin e siguruesve të personave që do të kryenin vrasjen e Durim dhe Valter Bamit për llogari të ish-deputetit Arben Ndoka.
Astrit Avdylaj me nofkën “Niçja” u shfaq edhe në përgjimet e dosjes 339 ku komunikonte me kryebashkiakun e Durrësit asokohe, Vangjush Dakon dhe zyrtarë të tjerë bashkiakë të cilëve u kërkonte listën e punonjësve që ishin kundër PS, në mënyrë që t’i kërcënonte ose të mbanin vendin e punës dhe të votonin PS ose të largoheshin. Për këtë dosje, Avdylaj u lirua për shkak të tejkalimit të afateve të hetimit. Versus.al







