AKTUALITET /

Plani për të vrarë “Akilin” e Durrësit, SPAK kërkon 29 vite burg për "Kep Arapin", ish-shefin e krimeve dhe 2 të tjerë

Për ish-shefin e krimeve Dedan Gjonin i cili i dha informacione Kep Arapit për orën kur do e lironte nga komisariati Xhevdet Plakun, SPAK ka kërkuar 4.8 vite burg.

Shkruar nga Versus
Plani për të vrarë “Akilin” e Durrësit, SPAK
Foto: Xhevdet Plaku, "Akili" (shënjestra), poshtë ish-shefi i krimeve Dedan Gjoni dhe Rexhep Rapi "Kep Arapi" (porositësi)

Tiranë- Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dhënë sot pretencën për planin e mbetur në tentativë për vrasjen e Xhevdet Plakut, ngjarje për të cilën u arrestuan Rexhep Arapi i njohur si “Kep Arapi”, nipi i tij Algert Rapi dhe ish-shefi i krimeve në komisariatin nr.6 të Tiranës Dedan Gjoni i cili ndodhej nën masën e arrestit për shkak të shfaqjes së tij në përgjimet e grupit të Erzen Breçanit.

Për “Kep Arapin” u kërkua dënimi me 7.6 vite burg që për shkak të gjykimit të shkurtuar të kërkuar prej tij zbret në 5 vite heqje lirie. Ndërsa për nipin e tij u kërkua dënimi me 4.8 vite burg. E njëjta kërkesë u bë për ish-shefin e krimeve të komisariatit nr.6 Dedan Gjonin dhe Dejvi Gjermenin.

Katër të arrestuarit akuzohen për planifikimin e vrasjes së mbetur në tentativë të Xhevdet Kiss (Plakut), ngjarje e cila u zbulua falë informacioneve që prokuroria e rrethit të Limburgut në Holandë i përcolli SPAK-ut.

Dedan Gjoni i dha informacion “Kep Arapit” mbi lëvizjet e Xhevdet Plakut duke e informuar atë mbi kohën se kur ky i fundit do të lirohej nga komisariati ku mbahej nën arrest që më pas nipi Algert Arapi së bashku me Dejvi Gjermenin të kryenin atentatin. 

Plani për vrasjen e Xhevdet Plakut

Sipas hetimeve të zbardhura nga dosja e përgatitur nga SPAK, Rexhep Rapi ka patur një konflikt të hershëm me “Akilin” që daton në vitin 2000 në Savona të Italisë ku është vrarë me armë zjarri familjari i “Kep Arapit”, Sali Rapi.

Për këtë arsye, Kep Arapi i njohur si “i forti i Sukthit” ka organizuar në formë hakmarrje një atentat për vrasjen e Xhevdet Plakut i cili u arrestua për vrasjen e Sali Rapit por më pas u la i lirë pasi u shpall i pafajshëm nga gjykata e Savonas.

Në datën 17 shtator të vitit 2019, Xhevdet Plaku është shoqëruar në ambientet e policisë së Durrësit, nga ku ish-shefi i krimeve në komisariatin nr.6 të Tiranës, Dedan Gjoni ka arritur të marrë informacion për orën se kur do të lirohet.

Me të marrë këtë informacion, ai ka komunikuar me Dejvi Gjermenin të cilin e ka njoftuar për ndalimin e Plakut dhe orën kur do të lirohej nga rajoni i policisë. Gjermeni këtë informacion ia ka dërguar nipit të Kep Arapit, Algert Rapit. Këta të fundit janë organizuar për t’i dalë në pritë por vrasja nuk u krye për shkak se Dejvi Gjermani ishte i frikësuar se mos vrasja do të zbulohej nga komunikimet e tij me Dedan Gjonin. Kështu që i tha anëtarit të fisit Rapi që të mos e kryenin atentatin pasi Plaku nuk ndodhej më në rajon. Versus.al

Kush është “Akili”?

Xhevdet Plaku, 42-vjeçari që u nxor në pritë nga Dedan Gjoni dhe Rexhep Arapi, njihet si koka e një grupi kriminal të trafikut të drogës në Itali. Lënda narkotike, kokainë, importohej nga Belgjika dhe Holanda.

Në këtë aktivitet, sipas policisë Italiane, ai përdorte 25 identitete të ndryshme për të mos u kapir nga kontrollet dhe drejtonte organizatën përmes udhëtimeve të shumta që bënte në Amsterdam. Banda i ndante pakot e drogës në bazë të cilësisë dhe sipas saj kishin edhe emërtimet, sipas markave të botës së luksit. Kokaina më e pastër ishte “Hermes”, pastaj kishte “Lacoste”, “G4”, “Rolls royce” dhe “Play Boy”. Plaku gjithashtu ka qenë dënuar për një vrasje të kryer shumë vite më parë në Durrës. Gjithashtu ishte akuzuar për një tjetër vrasje, për të cilën u shpall i pafajshëm. Versus.al

Poll