Detaje të reja janë mësuar sa i takon dëshmive të dhëna para prokurorëve të SPAK për skemën e ngritur nga kryebashkiaku Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa për të përfituar para nga fondet e bashkisë Tiranë.
Gazetarja Gildona Daci ka thënë në emisionin “Opinion” se ekonomistja e Ajola Xoxës kishte deklaruar para prokurorëve të SPAK se Ajola Xoxa kishte shpesh herë vështirësi me prerjet 500 euroshe pasi ishin të mykura ose shumë të përdorura.
Pjesë nga diskutimi në studio:
Glidona Daci: Sipas SPAK, sponsorizimet që bënin biznesmenët përkonin me kohën kur ata kishin aplikuar për të merrë leje ndërtimi në Bashkinë e Tiranës. Dyshohen sipas SPAK se sponsorizimet shkonin për shpenzime personale. Lëvronin nëpër kompani të ndryshme. Kemi biznesmenin Gentian Sula që ka pretenduar se paratë ia ka dhënë si një hua Ajola Xoxës për një blerje apartamenti.
Ndërkohë, një detaj interesant që lidhet me transaksionet, ose me ato para që janë gjetur, përveç faktit që janë prerje 500 Euroshe, në një moment në deklarimet e dhëna para prokurorëve të SPAK, ekonomistja e Xoxës thotë se “herë pas here kisha vështirësi me prerjet 500 Euroshe sepse ose ishin të mykura, ose shumë të përdoruara dhe të vështira për t’u konvertuar në para kesh kur duhet të bëja pagesa”.
Blendi Fevziu: Të mykura 500 Euro?
Glidona Daci: Të paktën ky është pretendimi i Adela Kondakçiut para prokurorëve të SPAK-ut. Theksohet dhe një tjetër detaj se pjesa më e madhe e pagesave bëhej me para kesh, por faturat tatimore ose deklarimet, bëheshin në vlera monetare duke lëshuar fatura fiktive. Versus.al







