Babai i 33 vjeçarit Ramazan Mataj i cili u ekzekutua dje me breshëri plumbash ne Shkodër, ka folur për “Shqipëria Live” lidhur me vrasjen e djalit të tij.
Në kushte mjaft të rënduara psikologjike, babai i viktimës tha se i biri i ndjerë nuk kishte konflikte me askënd, ndërsa i kërkoi shtetit që të zgjidhte sa më parë çështjen në mënyrë që të mos detyrohej të vepronte ai vetë.
“Komunikimi i fundit në orën 8:20 kur doli nga shtëpia. Do takoj dikë tha, nuk di asgjë tjetër. Nuk më është përgjigjur në telefon. Nuk kemi pasur asnjë ngatërresë, as debat me askënd. I kërkoj shtetit mos të hapë viktima më tepër, të zbardhë çështjen të vendosin dorën në zemër. Sepse nuk jemi në dijeni për asgjë. Nuk kemi pasur debat me askënd, kemi qenë për një kafshatë bukë jo të merremi me gjëra”- u shpreh ai.
Mes të tjerash ai zbuloi se priste që Ramazani të fejohej e më pas të largohej drejt Gjermanisë, ndërsa pati një thirrje që emri i djalit të tij të mos përfshihet në aludime për pazare droge, pasi ai nuk merrej kurrë me punë të pista.
“Djali punonte në Mal të Zi. Priste fejesën dhe letrat e Gjermanisë. I kërkoj shtetit drejtësi, mos të hapen viktima të tjera, mos të marrim rrugë pa dashje me fjalë. Kur nuk del e drejta, do e gjej vetë. Do ta laj me gjak nëse nuk ndërhyn shteti. I bëj thirrje shtetit të kapen autorët sa më parë.
Nuk kemi asnjë dyshim më të voglin sepse ai më tregonte mua kur kishte ndonjë problem. Dhe rrjetet, ju lutem shumë mos fusni hundët, nuk jemi ne ata. Ju lutemi shumë, nuk kemi lidhje më askënd në botë. Ne kemi lidhje vetëm punë shtëpi. Nuk kemi asnjë dyshim, po të kishim dyshime do kishim vepruar brenda 24 orëve. Ka qenë i papërgatitur”- tregoi babai i 33 vjeçarit të ekzekutuar. Versus.al







