AKTUALITET /

Ranë pre e policëve të infiltruar! Si u arrestuan trafikantët e armëve, u shitën granata agjentëve

Anëtarët e grupit kriminal në disa episode kanë rënë pre e agjentëve të policisë të infiltruar si blerës të armëve.

Shkruar nga Versus
Ranë pre e policëve të infiltruar! Si u arrestuan
Foto: Organizatori Valter Osmani dhe anëtarët e tjerë të grupit të trafikut të armëve

Detaje të reja janë bërë publike lidhur me rrjetin e trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosovë për në Shqipëri, pas goditjes të të cilit, u arrestuan 14 persona në total.

Në muajin shkurt, Valter Osmani i konsideruar si kreu i grupit i ka shitur Tonin Shkambit 4 armë të tipit “pistoletë”. Shkambi bashkëpunonte me Endri Papën i cili punonte si taksist në Tiranë. Armët të cilat ia sillte Shkambi, taksisti i shiste. Në një prej rasteve, ai i shiti një armë të llojit “Zoraki” njërit prej agjentëve të infiltruar.

Valter Osmani (Manoli) i arrestuar në Kosovë, rezulton të jetë i përfshirë edhe në rastin e shitjes së një granate dore ndaj një prej agjentëve të infiltruar i cili ka filmuar të gjithë procesin për ta pasur si provë. Po ashtu, Osmani i shiti Gersi Llozhit dhe Aurel Manrekës një armë të tipit “Zoraki”, e cila më vonë u ble sërish nga agjentët e infiltruar.

Duke përdorur linjën e autobusëve “Arditi Tours”, Valter Osmani trafikoi 5 armë nga Kosova drejt Tiranës së bashku me 10 fishekë.

Ndërsa djali i klarinetistit “Ad Sybardhi”, Euxhenjo Manushi më datë 7 tetor të këtij viti ka kontaktuar me disa persona për t’u shitur një armë zjarri kallashnikov. Por personi i cili bleu armën ishte oficer i infiltruar. Procesi i blerjes u krye teksa Euxhenjo Manushi shkoi në vendin e takimit me një automjet tip ‘Benz’ dhe i dorëzoi agjentit çantën e zezë me armën brenda saj.

Ndërsa për Kleos Muçalliun është provuar nga prokuroria se ai është takuar me Valter Osmanin pranë terminalit të autobusëve dhe pasi konsumojnë kafe, kreu i grupit i jep diçka. Pas ndërhyrjes së forcave “Shqiponja”, Muçalliut i gjejnë në automjet 50 fishekë për të cilët deklaroi se i kishte marrë nga Kosova.

Të arrestuarit janë lënë nën masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa organizatori i skemës së trafikut të armëve, Valter Osmani u kap në Kosovë falë bashkëpunimit të autoriteteve të dy vendeve. Versus.al

Poll