AKTUALITET /

"S'dija gjë për planin e nipit", gjykata lë në burg xhaxhain e vrasësit të gjyqtarit

Pavarësisht pretendimeve të Gjon Shkambit se nuk dinte asgjë për planin e nipit të tij Elvis Shkambi, gjykata vendosi ta linte në burg.

Shkruar nga Versus
"S'dija gjë për planin e nipit", gjykata lë
Autori Elvis Shkambi, xhaxhai i tij Gjon Shkambi dhe viktima, gjyqtari Astrit Kalaja

Tiranë- Gjykata ka rrëzuar kërkesën e Gjon Shkambit për ta liruar nga qeli. Me argumentin se nuk është autori i krimit që tronditi vendin me vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja si dhe plagosjen e dy personave të tjerë palë në proces, Shkambi iu drejtua Apelit me ankim ndaj arrestit në burg caktuar mga Shkalla e Parë. Gjon Shkambi pretendon se nuk la pasur dijeni për veprimet e nipit të tij Elvis Shkambi që zbrazi armën ndaj gjyqtarit Kalaja sapo ky i fundit lexoi vendimin kundër kërkesës së tij lidhur me një konflikt pronësie.

Nipi 30-vjeçar, Elvis Shkambi, që ndodhet gjithashtu në paraburgim, nuk e kishte apeluar vendimin për të kërkuar ndryshim të masës së sigurisë. Këtë të hënë, Shkambi ndau një letër nga qelia ku shprehte pendesë për krimin, ndërsa rrëfente kalvarin që ka kaluar në polici, prokurori e gjykata për të marrë pronën që pretendonte se e kishte të trashëguar.

Ngjarja e ndodhur mesditën e 6 tetorit ngjalli pasiguri dhe ngriti pikëpyetje mbi sistemin e brishtë të sigurisë në gjykatat e vendit. Për ngjarjen është arrestuar edhe roja i sigurisë së gjykatës, Banush Koxha i cili ka deklaruar se kishte kërkuar të zëvendësohet pasi nuk ishte ndjerë mirë dhe për këtë arsye nuk ishte ngritur nga karrigia kur pajisja kishte sinjalizuar armën që mbante me vete Shkambi. Versus.al

Poll