AKTUALITET /

Shaljani u bë agjent pa shkuar një ditë në punë, çohen për gjykim 2 ish-drejtorët e AMP që e punësuan për “nevoja emergjente”

Prokuroria e Tiranës ka dalë në përfundimin se shoqëruesi i personazhit të krimit u punësua me procedurë të paligjshme.

Shkruar nga Versus
Shaljani u bë agjent pa shkuar një ditë në punë,
Fotomontazh: Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani (të ekzekutuar në Rinas), Artiol Saliasi, ish-drejtor i AMP

Tiranë- Prokuroria ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim 2 ish-zyrtarët e lartë të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore të cilët akuzohen për shpërdorim detyre lidhur me rastin e puënsimit të paligjshëm të Muçi Shaljanit, njërit prej 2 viktimave në atentatin e Rinasit më 12 nëntor 2025.

Ish drejtori i përgjithshëm Artiol Saliasi dhe ish-drejtori i Financës dhe Shërbimeve mbështetëse, Gëzim Sala, dyshohet se mundësuan punësimin e Shaljanit në mënyrë të paligjshme.

Hetimet kanë zbuluar se Gëzim Sala përgatiti dokumentet, ndërsa Saliasi mori vendimin për të punësuar Shaljanin si agjent të AMP-së. për punësimin e Shaljanit nuk u krye asnjë prej procedurave të rregullta që parashikohen për punonjësit e tjerë duke filluar nga shpallja e vendeve vakante, krijimi i komisionit për kandidaturën, testimet, verifikimet përfundimtare apo vlerësimin e dokumentacionit të dorëzuar nga aplikanti.

Madje urdhri i punësimit ka në përmbajtje të tij motivimin “për nevoja emergjente”. Por nga marrja në pyetje e disa prej zyrtarëve të AMP, prokuroria ka dalë në përfundim se nuk ka patur asnjë nevojë emergjente për punësimin e Shaljanit.

Në datën 9 shtator u paraqit kërkesa zyrtare, më 16 shtator u lidhën detyrimet financiare. Që prej kësaj dite, Muçi nuk u paraqit asnjëherë në punë. Të pandehurit kanë qenë të vetëdijshëm për punësimin e paligjshëm dhe futjen në AMP të një personi pa verifikim real.

Më 12 nëntor të vitit të kaluar, Muçi Shaljani u ekzekutua në Rinas së bashku me Gilmando Danin, një personazh të botës së krimit. Verifikimet treguan se Shaljani ishte shoqërues i Danit dhe qarkullonte me këtë të fundit kudo që shkonte. Versus.al

Poll