AKTUALITET /

Shtëpi bari në Laknas/ Vëllezërit Matraxhi sollën teknologjinë e Londrës për të kamufluar kanabisin

Policia kishte dyshime për disa kohë se në shtëpinë e tyre po kryhej një veprimtari e paligjshme, derisa u bind për të ndërhyrë.

Shkruar nga Versus
Shtëpi bari në Laknas/ Vëllezërit Matraxhi sollën
Vëllezërit Fatmir dhe Shkëlqim Matraxhi

Vëllezërit Fatmir dhe Shkëlqim Matraxhi, 38 dhe 28 vjeç nga Kuksi, janë arrestuar nga policia për shkak të një operacioni të sofistikuar të kultivimit të kanabisit në shtëpinë e tyre në fshatin Laknas.

Sipas hetimeve, ata fillimisht mësuan teknikat e kultivimit të kanabisit në Angli, ku punuan për disa kohë, dhe më pas vendosën t’i transferonin njohuritë e fituara në Shqipëri.

Policia kishte dyshime për disa kohë se në shtëpinë e tyre po kryhej një veprimtari e paligjshme, derisa u bind për të ndërhyrë. Brenda shtëpisë, u zbulua një ambient i përshtatur posaçërisht për rritjen e kanabisit, i pajisur me llamba speciale, ventilatorë, pajisje kontrolli të temperaturës dhe filtra pastrimi të aromave për të mbuluar erën karakteristike të bimëve. Gjithashtu, u gjetën 20 rrënjë kanabisi në fazën e rritjes, me një lartësi prej rreth 60 cm, gati për të korrur.

Burime të policisë sugjerojnë se kjo mund të jetë faza e dytë e një operacioni më të gjerë, pasi dyshohet se një sasi e kanabisit të kultivuar më parë është shitur tashmë në treg. Përveç vëllezërve Matraxhi, në hetime është përfshirë edhe babai i tyre, Zitë Matraxhi, i cili po hetohet në gjendje të lirë për mosraportimin e veprimtarisë së paligjshme. Një tjetër i dyshuar është Endrit Paja, 29 vjeç, punonjës i OSHEE-së, i akuzuar për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se ka lejuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike për nevojat e këtij operacioni.

Shtëpia e vëllezërve Matraxhi konsiderohet një nga më të sofistikuarat e zbuluara deri tani nga autoritetet. Përveç pajisjeve standarde për kultivimin e kanabisit, u gjetën edhe 2 filtra pastrimi të aromave dhe një sistem me bokse muzikore, i cili ishte instaluar për të mbuluar zhurmën e aparaturave dhe për të shmangur dyshimet e fqinjëve dhe policisë.

Materialet e hetimeve janë dorëzuar prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa vëllezërit Matraxhi dhe Endrit Paja do të përballen me akuzat për kultivim dhe shpërdorim detyre./Versus.al

Poll