
Kryeministri Edi Rama ka rikujtuar rritjen e pensioneve që ka nisur këtë janar, duke theksuar se shtesa do të dyfishohet çdo vit pasardhës.
Ai e përshkroi këtë arritje si një “çlirim” dhe shtoi se për ta realizuar është dashur një përpjekje e gjatë, me vite reformash dhe punë të vazhdueshme për të siguruar stabilitetin financiar.
Edi Rama: Ashtu siç u zotuam në fushatën e 83 mandateve dhe siç ngritëm 83 kartona të gjelbër në Kuvend pro rritjes graduale të pensioneve gjatë këtij mandati historik, tanimë e kemi nisur kthesën. Sipas kategorive përkatëse, pensionistët që prej këtij janari përfitojnë një rritje, që çdo janar do të dyfishohet. Pra janarin e ardhshëm do të marrin dyfishin e shtesës së këtij janari. Janarin pas tij, trefishin e shtesës së këtij janari, pastaj katërfishin e këtij janari dhe në Shqipërinë 2030 do të ndalet ky progresion tek pesëfishimi i shtesës së mirëseardhur të janarit të këtij viti.
Kjo kthesë është një çlirim i madh për mua. U deshën vite reformash, u desh një përpjekje e madhe për rritje ekonomike, u desh një përmirësim rrënjësor në mbledhjen dhe administrimin e të ardhurave, u desh shumëçka që të vinim në pikën ku një Shqipëri tjetër nga ajo e dhjetë viteve më parë, të bëhej vendi i rritjes së pensioneve, pa minuar themelet e stabilitetit financiar të shtëpisë sonë të përbashkët.
Unë e di se si i kam shtrënguar dhëmbët për të bërë durim, se si ndihesha se si sikletosesha, se si mezi i nxirrja fjalët kur thosha s’ka mundësi, nuk kemi lekë për ta bërë, s’është e mundur, duhet fillimisht të rrisim mundësitë e shtetit, s’e bëjmë dot se nuk mund të minojmë shtëpinë, ku rriten fëmijët tanë… E pra duruam, por më në fund erdhëm në këtë pikë, sepse punuam çdo ditë për kthesën që sapo ka nisur dhe më e mira është e gjitha përpara për gjyshet dhe gjyshërit e këtij vendi./Versus.al



