
SHBA- Në Uashington Instituti Amerikan i Paqes do të mirëpresë sot takimin e parë të Bordit të Paqes të krijuar nga presidenti Donald Trump për rindërtimin e Gazës. Ky bord i krijuar për përpjekjet humanitare në Gaza do të njihet edhe me njoftimin për 5 miliardë dollarët që shtetet anëtare kanë ofruar për këtë qëllim.
Pjesë e takimit do jenë edhe Shqipëria e Kosova si shtete anëtare themeluese. Vendet do të përfaqësohen nga kryeministri Edi Rama i cili vendosi emrin e tij në fletën e marrëveshjes së ratifikuar në Kuvend dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Rindërtimi i Gazës pritet të kushtojë 70 miliardë dollarë, sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, Bankës Botërore dhe Bashkimit Europian, pas më shumë se dy vitesh lufte. Ndërsa nuk dihet nëse Shqipëria ka kontribuuar me ndonjë shumë konkrete dhe as shifra lidhur me vendet e tjera pasi ky njoftim do të jepet nga vetë Trump.
Shtetet anëtare janë angazhuar të dërgojnë trupa për forcë ndërkombëtare stabilizimi në Gaza. Deri më tani, vendet e BE e kanë injoruar nismën e Trump. Vetëm 2 shtete të BE do jenë pjesë e këtij bordi. Gjermania e refuzoi, ndërsa Italia do të dërgojë përfaqësues, por jo kryeministren Giorgia Meloni. Versus.al

