AKTUALITET /

“S'ka marrë lekë nga shteti”, Haxhia mesazh prokurorëve të SPAK: Agasi ju ka takuar edhe ju, jeni pjesë e grupit kriminal?

Shkruar nga Versus

“S'ka marrë lekë nga shteti”, Haxhia mesazh

Avokati Maks Haxhia gjatë mbrëmjes së djeshme ka bërë deklarata të forta në Top Story ku foli lidhur me çështjen në ngarkim të klientit të tij, Ergys Agasi, biznesmenit të shpallur në kërkim për skandalin e AKSHI-t.

Haxhia u përpoq të mbronte Agasin duke thënë se klienti i tij nuk rezulton me asnjë lidhje formale me AKSHI-n duke shtuar se nuk është i punësuar dhe as ka marrë pjesë në tenderat e kësaj kompanie. Sipas tij, Agasi nuk ka përfituar fonde nga buxheti publik, ndryshe nga çfarë pretendohet në dosjen hetimore të SPAK.

“Interesantja është që zoti Agasi nuk është as i punësuar, është thjesht një biznesmen, nuk është futur asnjëherë në tenderat e AKSHI-t, nuk ka kompani në atë fushë, nuk ka marrë asnjë përfitim nga buxheti-financat publike dhe e fusin në grup të strukturuar kriminal lidhur me shkelje të barazisë në tendera, që për mua kjo vepër penale është administrative, mund të ishte shumë mirë “korrupsion në tendera”, ka thënë ai, teksa më tej ka ngritur pyetjen për implikimin e prokurorëve të SPAK dhe gjyqtarëve të GJKKO, duke theksuar se nëse këta të fundit kanë pasur komunikime me Agasin, a mund të lindin diskutime rreth konceptit të grupit të strukturuar kriminal.

Pasi Agasi u shpall në kërkim, Haxhia në një deklaratë për mediat pretendoi se klienti i tij nuk ishte arratisur dhe se do të kthehej sapo të firmoste një marrëveshje jashtë shtetit. Mirëpo versioni i tij ndryshoi në paraqitjen e dytë duke thënë se edhe ai i bënte thirrje që të mos dorëzohej para autoriteteve. Versus.al

Poll