AKTUALITET /

SPAK kërkon konfiskimin e pasurive të kreut të klanit "Çapja": Janë siguruar falë aktivitetit kriminal

10 pasuri në pronësi të dy prindërve dhe shokëve të Florenc Çapjas janë në listën për të cilat SPAK kërkon konfiskimin.

Shkruar nga Versus

SPAK kërkon konfiskimin e pasurive të kreut të klanit

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dorëzuar sot një kërkesë për konfiskimin e pronave në emër të të shumëkërkuarit Florenc Çapja dhe familjarëve e miqve të tij.

Në listën e pasurive të sekuestruara janë 8 prona, 1 biznes dhe një automjet në pronësi të prindërve të tij dhe të shokut të tij Bledar Muça i cili u vra në Belgjikë në vitin 2022 në një atentat me armë zjarri.

Sipas hetimeve të SPAK, këto pasuri janë ngritur falë veprimtarisë kriminale Çapjave, në krye të të cilëve qëndron Florenc Çapja, i shpallur në kërkim pasi akuzohet si porositës i vrasjes së ndodhur në 2012-ën ku u ekzekutuan babë e bir Nezir dhe Gentian Beqiri në Elbasan.

Pasuritë e sekuestruara për të cilat kërkohet konfiskimi janë:

Pasuria e llojit arë, me sipërfaqe 500 m2, me adresë Udenisht, Pogradec, në pronësi të shtetasit Ferit Muça.
Pasuria e llojit ndërtesë ekonomiko-sociale, një kat, me sipërfaqe trualli 36.2 m2 , sipërfaqe ndërtese, 25.73 m2 , me adresë Lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan, në pronësi të shtetasit Fejzulla Ramazan Çapia (babai i shtetasit Florenc Çapia).
Pasuria e llojit arë +truall +ndërtesë, me sipërfaqe totale 1756 m2, truall me sipërfaqe 450 m2, sipërfaqe ndërtese 214 m2, në pronësi të shtetasve Fejzulla Ramazan Çapia dhe Xhemile Bajram Çapia (babai dhe nëna e shtetasit Florenc Çapia).
Pasuria e llojit godinë banimi, me sipërfaqe trualli 498.8 m2, sipërfaqe ndërtese 293.8 m2. Godine banimi 2 kate + 1 kat nëntokë, me adresë Lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan në pronësi të shtetasit Fejzulla Ramazan Çapia (babai i shtetasit Florenc Çapia).
Pasuria e llojit Truall + Ndërtesë, me sipërfaqe totale 360 m2, sipërfaqe ndërtese social- ekonomike, 1 kat 120 m2, me adresë Lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan, në pronësi të Bledar Mefail Muça.
Pasuria e llojit Arë, me sipërfaqe totale 720 m2, me adresë Lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan, në pronësi të shtetasve Fejzulla Ramazan Çapia dhe Xhemile Bajram Çapia.
Pasuria e llojit Arë, me sipërfaqe totale 764 m2, me adresë Lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan, në pronësi të shtetasve Fejzulla Ramazan Çapia dhe Xhemile Bajram Çapia.
Pasuria e llojit Arë, me sipërfaqe totale 1380 m2, me adresë Lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan në pronësi të shtetasve Fejzulla Ramazan Çapia dhe Xhemile Bajram Çapia.
Automjeti tip autoveturë, Marka Audi, Tipi 4E, Modeli A8, viti i prodhimit 2008.
Subjekti “Fejzulla Çapia” (P.F) me NIPT L53322244G, me objekt aktiviteti “Lavazh Bar-Kafe”, me adresë lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan.

Ardjan Çapja, Florenc Çapja, Ervis Bardhi, Etien Cani, Klajdi Dokolli dhe Olsi Leku akuzohen nga Prokuroria e Posaçme se në vitin 2012 kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal, duke ekzekutuar në shenjë hakmarrje brenda shtëpisë së tyre, Gentian Beqirin dhe të atin e tij, Nezir Beqiri. Për ngjarjen, Ardjan Çapja është dënuar me burg të përjetshëm dhe aktualisht po vuan dënimin, ndërsa edhe Florenc Çapja është dënuar me burgim të përjetshëm në mungesë si porositës i krimit.

Ka dyshime se ndërkohë që autoritetet shqiptare e kanë shpallur në kërkim, Çapja po shijon lirinë në Dubai falë mungesës së një marrëveshje ekstradimi për personat e kërkuar ndërkombëtarisht.

Së fundmi në media qarkulloi dosja e klanit të kryesuar nga Suel Çela i cili bënte plane për dëmtimin e kundërshtarëve të tij Çapja. Në përgjime shfaqej edhe plani i tij i dështuar për atentatin ndaj Ardian Çapjas në vitin 2020. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: