
Policia ka identifikuar personin që ditën e djeshme u arratis në zonën e Vasil Shantos duke përplasur me “Audi Q8” disa makina edhe pse policia i kishte bërë shenjë të ndalonte. Bëhet fjalë për Joni Sadikajn, të riun e shpallur në kërkim prej janarit të këtij viti pasi një vajzë e kishte denoncuar se e kishte mbajtur të mbyllur në Astir.
Sadikaj lëvizte lirshëm në qendër të Tiranës së bashku me shokun e tij Skerdi Sina i cili gjithashtu ishte shpallur në kërkim për ngjarjen e ndodhur në janar të këtij viti në zonën e Astirit.
Dinamika e ngjarjes së djeshme
Policia pikasi një mjet luksoz tip “Audi Q8” në zonën e Vasil Shantos dhe pati indicie se personat brenda makinës mund të ishin të armatosur. Efektivët i bënë shenjë për ndalim, por makina u largua me shpejtësi dhe në përpjekje për t’u larguar u përplas me 3 automjete të tjera. Pas kësaj dy persona që ndodheshin brenda dolën nga mjeti dhe u larguan me vrap në drejtime të ndryshme.
Gjatë ikjes, njëri prej tyre, Skerdi Sina hodhi në tokë një pistoletë tip “Glock” që u gjet nga policia. Pas disa minutash ndjekje, u bë i mundur arrestimi i Sinës, ndërsa sot u identifikua edhe personi tjetër që ndodhej me të Joni Sadikaj, i shpalluri në kërkim prej janarit i cili ishte dënuar më parë me 3 vite burg për armëmbajtje pa leje.
Pistoleta dyshohet të jetë e Sinës pasi këtij të fundit iu gjetën edhe fishekë dhe karikator. Ndërsa në makinë u gjet dhe sekuestrua kanabis. Aktualisht policia po punon për kapjen e Sadikajt i cili edhe pse në kërkim kishte guximin të lëvizte në zonat më të frekuentuara të kryeqytetit. Versus.al







