AKTUALITET /

Policia shpall në kërkim 5 persona për ngjarjen në Astir: Mbajtën të mbyllur 21 vjeçaren

Personat e shpallur në kërkim akuzohen se mbajtën të mbyllur 21 vjeçaren dhe për armëmbajtje pa leje.

Shkruar nga Versus

Policia shpall në kërkim 5 persona për ngjarjen në Astir:

Policia ka dalë me njoftim zyrtar lidhur me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në zonën e Astirit. Në kërkim janë shpallur 5 persona të cilët dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin mbajtën të mbyllur 21 vjeçaren S.Q në apartamentin ku ndodheshin.

Joni Sadikaj është i riu i arrestuar më herët për trafik droge e armë pa leje, i cili kishte marrë me qira apartamentet ngjitur njëri-tjetrit për të festuar me disa persona të tjerë. 

Gjatë kontrollit në apartamentin ku e kishin mbyllur 21 vjeçaren, u gjetën 2 armë zjarri dhe municion luftarak. 

Njoftimi i plotë:

Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, për shtetasen S. Q. që kërkoi ndihmën e Policisë, ndërkohë që ndodhej në katin e tetë të një pallati në Astir, bëjmë me dije se: 

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nga Sektori për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Pronës, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, janë identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasit:

S. S., 29 vjeç, A. A., 36 vjeç dhe O. A., 31 vjeç, të tre banues në Tiranë; J. S., 26 vjeç, banues në Tepelenë; dhe A. J., 40 vjeç, banues në Vlorë. 

Nga veprimet e para hetimore të kryera për këtë rast dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë mbajtur të mbyllur shtetasen S. Q., në apartamentin ku ndodhej, i marrë me qira ditore.    

Gjithashtu, ishte marrë me qira ditore apartamenti përballë në të cilin shërbimet e Policisë, ditën e djeshme, gjetën gjatë kontrollit, 2 armë zjarri, municion luftarak dhe sende të tjera personale që do t’i shërbejnë hetimit. 

Vijon puna për kapjen e 5 shtetasve të shpallur në kërkim. Gjithashtu, vijojnë hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë, për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë, për  veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”,  kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”. Versus.al

Poll