Tiranë- Një 34 vjeçar me inicialet F.M u arrestua ditën e djeshme në rrugën e Rinasit pasi terrorizoi qytetarët me hanxhar në dorë.
Mësohet se i riu kishte përplasur makinën e tij me 3 automjete të tjera. Pas ngjarjes, ka shkuar në një lokal të zonës ku kishte marrë hanxharin me të cilin kishte kërcënuar disa qytetarë dhe gjithashtu dëmtoi makinën e një shoferi. Sipas njoftimit të policisë, rezulton se 34 vjeçari ishte në kërkim për thyerje të masës së arrestit shtëpiak.
“34-vjeçari dyshohet se fillimisht ka përplasur me automjetin që drejtonte në rrugën e Rinasit, 3 automjete, me pasojë vetëm dëme materiale. Më pas, ka shkuar në një lokal në zonë, ku ka marrë një mjet prerës (hanxhar), me të cilin ka kanosur qytetarë, si dhe ka dëmtuar 1 automjet dhe celularin e drejtuesit të tij. Gjatë shoqërimit në ambientet e Policisë, shtetasi F. M. ka kundërshtuar me dhunë, efektivët. Nga verifikimet e kryera më tej, rezultoi se 34-vjeçari ishte aktualisht në kërkim, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”- njofton policia.
Fillimisht ai u neutralizua nga shërbimet e Forcave Detare të Ministrisë së Mbrojtjes të cilët po qarkullonin në rrugën e Rinasit. Versus.al

