Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e së premtes në aksin kombëtar Elbasan–Librazhd, pranë fshatit Hotolisht, ku një 42-vjeçar humbi jetën pasi automjeti me të cilin po udhëtonte u godit nga një shkëmb i shkëputur nga mali.
Sipas informacionit të Policisë, rreth orës 22:30, një gur i madh dyshohet se u shkëput nga faqja e malit dhe ra mbi një automjet tip “Mercedes-Benz” që drejtohej nga shtetasi A.H., banues në fshatin Gjergjan, Elbasan.
Për shkak të goditjes së fortë, drejtuesi i mjetit humbi jetën në vendngjarje.
Aksi rrugor pranë Hotolishtit prej vitesh konsiderohet problematik për shkak të rrëshqitjeve të dherave dhe rënies së vazhdueshme të gurëve e shkëmbinjve nga shpatet malore, duke përbërë rrezik për drejtuesit e mjeteve.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit./Versus.al

