Tiranë- Është shtyrë për të shtatën herë seanca e planifikuar për t’u mbajtur në GJKKO ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu i akuzuar për shpërdorim detyre në tragegjedinë e Gërdecit. Seanca e radhës do të mbahet më 11 shtator.
Shkak për shtyrjen është bërë mungesa e Mediut në seancën ku pritej të ballafaqohej me ekspertët e dëmit ekonomik të tragjedisë.
Gjashtë prej seancave të mëparshme janë shtyrë me shkaqe të ndryshme. Ajo e fundit e mbajtur më 17 korrik u shty për shkak se mungonte njëri prej 5 ekspertëve të cilët përcaktuan dëmin e shkaktuar nga shpërthimi ku vdiqën 26 persona.
Eksperti Ymer Stafa kishte njoftuar gjykatën se mungonte për arsye shëndetësore, por prokurori Klodian Braho dhe avokati i Mediut kërkuan praninë e tij. Ndaj ekspertëve mbrojtja e Mediut ka drejtuar pyetje me shkrim, përgjigjiet e të cilave ata i kanë dorëzuar më 17 korrik në sekretarinë e GJKKO.
Vetë ish-ministri i Mbrojtjes mungoi seancë, ndërsa nuk ishte paraqitur as avokati i tij Ardian Visha. Ndaj Mediut rëndon akuza e “Shpërdorimit të detyrës”, ndërkohë që ai mohon akuzat duke pretenduar se pavarësisht postit që kishte nuk ishte i përfshirë në ndonjë shkelje të ndodhur në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec. Ai e ka cilësuar procesin ndaj tij si “të fabrikuar”. Versus.al








