Vlorë- Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur tre javë më parë ku një sasi tritoli shpërtheu në portën e jashtme të banesës së nënës së Gentian Zotos, të dënuarit me 35 vite burg për atentatin ndaj Inez Hajrullës, i cili njihet si 'i forti i Vlorës'.
Në pranga kanë rënë babë e bir, Divid Goxhaj, 59 vjeç dhe Ferdinand Bombaj, 29 vjeç, të dy banues në fshatin Babicë të Madhe. Dyshohet se të arrestuarit kishin mbajtur në banesën e tyre mjetin tip “Volkswagen Golf Plus” i cili rezulton i vjedhur në Elbasan. Më pas këtë automjet e kanë përdorur në ngjarjen e ndodhur më 29 nëntor ku i vendosën lëndë plasëse banesës së B.Zoto. Dyshohet se bëhet fjalë për hakmarrje, ndërsa vetë 63 vjeçarja ka deklaruar se nuk ka konflikte me askënd.
Pasi kryen krimin, automjetin e dogjën në fshatin Babicë e Vogël. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprat penale përkatëse, ndërkohë që hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë. Versus.al

