Tre ditë pas helmimit me Valium nga dhëndri, çifti i të moshuarve nga Librazhdi është rikthyer në banesë, pas qëndrimit në gjendje të rënduar në spital.
Muharrem Bitroshi ende nuk mund të ngrihet nga shtrati, ndërsa bashkëshortja e tij, Merushe Bitroshi, ndodhet në gjendje më të qëndrueshme dhe rrëfen për Top Channel sesi dhëndri hodhi Valiumin në limonatë, duke qenë i vetëdijshëm që ata kishin marrë pensionin.
“Vajta mora pensionin, mora tre muaj njëherësh. Erdhi dhëndri, më tha ‘pije këtë’. Kur shkova në spital, nuk kisha më asnjë lek, i kishin marrë të gjitha,” tregon Merushe Bitroshi.
Djali i çiftit, Jetmir Bitroshi, së bashku me bashkëshorten, që fatmirësisht ishin kthyer nga Greqia atë ditë, gjetën prindërit në gjendje të rëndë. “I gjetëm shtrirë, ambulanca i çoi në Tiranë. Po të mos kishim ardhur ne, mund të kishin ndërruar jetë,” rrëfen Jetmir.
Policia arrestoi 36-vjeçarin Ismail Kllogjeri, i cili u dha të moshuarve një dozë të madhe Valiumi, duke shkaktuar intoksikimin e tyre dhe më pas u grabiti pensionin. Ky nuk është rasti i parë që familja Bitroshi ka pasur probleme me dhëndrin për shkak të sjelljes së tij të dhunshme.

