Tiranë-Sokol Bushkolaj është arrestuar nga policia si autor i hedhjes së lëndës plasëse “molotov” gjatë protestës para bashkisë Tiranë duke rrezikuar jetën e gazetarëve dhe qytetarëve të tjerë të pranishëm në protestë.
Bushkolaj ishte arrestuar edhe më parë, për protestën e mbajtur më 7 maj ku gjithashtu hodhi lëndë plasëse duke rrezikuar jetën e policëve.
Ndaj 49 vjeçarit, rëndojnë disa akuza "Prishja e qetësisë publike", "Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse", "Shkatërrimi i pronës me zjarr", "Goditjet për shkak të detyrës" dhe "Vrasja me dashje" mbetur në tentativë.
Ndërkohë, u procedua në gjendje të lirë edhe 22 vjeçari i identifikuar si K. B, banues në Tiranë.
Ditën e djeshme, u mbajt protesta e nëntë e Rithemelimit ku u kërkuar sërish dorëheqja e Erion Veliajt nga posti i kryetarit të bashkisë pas operacionit “5D” të SPAK që solli arrestimin e disa prej drejtorëve të bashkisë nën akuzën se kishin përvetësuar fonde publike duke iu dhënë tendera kompanive që i kishin ngritur vetë.








