Ditë më parë një ngjarje e rëndë tronditi vendin pasi një fëmijë 12 vjeçar nga Korça ndërroi jetë në spitalin e Traumës. Fillimisht ngjarja u raportua si atak kardiak, por më vonë detaje të reja dolën. Së fundmi nëna e të miturit në gjendje të rënduar psikologjike ka dhënë një intervistë për News24 duke akuzuar mjekët e spitalit të Korçës për neglizhencë duke thënë se nuk i bënë trajtim të mjaftueshëm djalit të saj.
“Bashkëshortit tim i kanë thënë nëse Leo është sëmurë, mos ma nxirr, ma mbaj këtu. Marrim antiobiotikë dhe u nisëm për në shtëpi. Erdhi darka ka qenë ora rreth 8, kishte të vjella dhe e ka kërkuar me gojën e tij ta conim në spital sepse ishte keq. E vizitoi një doktoreshë, tha nuk shikoj ndonjë gjë alarmante dhe tha ta dërgonim në shtëpi. I thashë ta shtronim, tha nuk është nevoja ta mbajmë një fëmijë këtu vetëm për t’I bërë serum”- u shpreh ajo.
Mjekët, sipas nënës së 12 vjeçarit, e kishin qetësuar familjen duke thënë se sëmundja do të bënte procesin e saj, duke e lënë të vazhdonte me dhimbje barku, temperaturë, kollë dhe diarre nga data 1 deri më 6 janar, të cilat u trajtuan si normale.
Në datën 7 janar, në orën 4:30 të mëngjesit, gjendja e të miturit u përkeqësua, dhe familja e çoi në Spitalin e Korçës dhe më pas në QSUT. Sipas nënës, i mituri nuk mori trajtim në pavionin e endokrinologjisë për 7 orë rresht.
“Infermierja vuri duart në kokë kur djali pati të vjella. Pasi erdhi doktori filluan me analizat dhe ai tha se pjesa e hemorragjisë mund të ishte diçka më e rëndë që duhej trajtuar në Tiranë. Në analizë djalit i doli sheqeri i lartë dhe doktori po kapej pas këtij fakti”- tha nëna e të miturit të ndjerë.
Në lidhje me deklaratën e QSUT, ku thuhet se i mituri i ndjerë mori të gjitha shërbimet e nevojshme, Roveta ngre një pyetje: “A i kanë bërë eko të zemrës djalit tim, një prej ekzaminimeve të nevojshme për diagnostikimin e miokarditit akut?”
Sipas saj policia dhe prokuroria nuk kanë bërë asgjë për të zbardhur rastin. Versus.al







