
Durrës- Detaje të reja janë zbuluar nga kapja e ngarkesës prej 7 kilogramësh lëndë narkotike kokainë brenda një furgoni mallrash në Portin e Durrësit.
Furgoni me traga angleze, i kompanisë “Bledi Trans” kryente transport mallrash në itinerarin Angli-Itali-Shqipëri. Në momentin që iu nënshtrua kontrollit në Portin e Durrësit, furgoni kishte hyrë nga Italia.
Gjatë kontrollit, nën sediljen e shoferit të furgonit, Arjan Doçi, 38 vjeç u gjetën dhe sekuestruan 7 kg e 300 gramë kokainë. Droga ishte mbështjellë me qese me vakum në mënyrë që të mos nuhatej nga qentë e kufirit.
Së bashku me shoferin e furgonit, u arrestua edhe personi tjetër që ndodhej me të në mjet, Mentor Çuni, kushëri i shoferit të furgonit, i dyshuar si bashkëpunëtor në veprimtarinë kriminale të trafikut të drogës.
Policia sekuestroi gjithashtu edhe 4 celularë, mjetin tip “furgon”, 3950 euro 21 700 lekë, 150 korona suedeze dhe 60 franga.







