Mashtronin duke u prezantuar si zyrtarë të lartë, një në pranga dhe një në kërkim nga policia. Mësohet se një tjetër grup është goditur ku nëpërmjet përdorimit të aplikacioneve të ndryshme si Telegram apo Signal prezantoheshin, duke kërkuar para në këmbim të favoreve. Kësaj rradhe, Shkëlqim Saraçi, "ushtari" që ka shkuar të marrë paratë është vënë në pranga në flagrancë së bashku me 20 mijë eurot që sapo kishte marrë nga një administrator biznesi. Në kërkim është edhe i dyshuari si "truri" i kësaj skeme të përdorur jo rrallë së fundmi. Ai është një 24 vjeçar, i cili mësohet se është jashtë Shqipërisë tani.
NJOFTIMI I POLICISE
Finalizohet një tjetër operacion me objektiv goditjen e përfitimit nëpërmjet mashtrimit, të shumave të konsiderueshme të parave.
Operacioni policor i koduar “Apps” arrestoi në flagrancë një 26-vjeçar, teksa po i merrte administratorit të një subjekti privat, 20000 euro, pas mashtrimit në aplikacione të ndryshme, duke u prezantuar si funksionar i lartë shtetëror.
Punohet për kapjen e organizatorit të këtij rasti, të identifikuar tashmë nga Policia.
Sekuestrohen 20000 euro, 3 celularë dhe 1 automjet.
Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, si dhe në drejtimin e Prokurorinë së Tiranës, finalizoi operacionin policor të koduar “Apps”, si rezultat i të cilit u vu në pranga shtetasi Sh. S., 26 vjeç, banues në Tiranë.
26-vjeçari u kap në flagrancë ndërkohë që po i merrte administratorit të një subjekti privat, të cilin e kishte mashtruar në aplikacione të ndryshme, 20000 euro. Gjithashtu, si rezultat i këtij operacioni u identifikua dhe u shpall në kërkim organizatori i dyshuar i këtij rasti, shtetasi L. D., 24 vjeç.
Gjatë hetimeve ka rezultuar se këta shtetas, duke u prezantuar si funksionarë të lartë shtetërorë, i kanë kërkuar administratorit, 50 000 euro. Punohet për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit L. D., i cili nga verifikimet rezulton se është jashtë shtetit, si dhe vijojnë hetimet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit e tjerë që mund të jenë implikuar në këtë rast. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, dhe “Përvetësimi i titullit apo detyrës shtetërore”. versus







