Tiranë- 25 persona janë arrestuar dhe proceduar gjatë javës së fundit nga policia rrugore e Tiranës për shkak të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.. Mes tyre ka pasur edhe të arrestuar të cilët janë kapur pa patentë në timon, dhe një prej tyre nën efektin e drogës.
Gjithashtu gjatë kësaj jave janë vendosur 7,889 gjoba: Përfshirë 261 për tejkalim shpejtësie, 189 për përdorim celulari, 472 për mosvendosje rripi sigurimi dhe 5,724 për parkim të gabuar.
22 leje drejtimi janë pezulluar, 12 automjete janë bllokuar, përfshirë 3 me targa të huaja.
Ndërsa në videon e publikuar nga policia shihet se një prej makinave të sekuestruara i përket personazhit të njohur të TikTok-ut Kozak Braçi. Ky i fundit u kap nga policia rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm ku shfaqej duke drejtuar mjetin me shpejtësi tej normave të lejuara në zonat e banuara dhe duke shkelur semaforët. Në momentin që kryente shkeljet, Braçi raportohet të ketë qenë në gjendje të dehur dhe "live" në rrjetet sociale.
Ky është rasti i dytë brenda pak ditësh ku personazheve të TikTok-ut u janë bllokuar automjetet dhe kanë marrë gjobë për shkak të shkeljes së rregullave të qarkullimit duke rrezikuar jetën e qytetarëve në këto zona të banuara. Një prej tyre, ishte edhe TikTok-erja Hatixhe Brika e cila videon teksa shkelte rregullat e qarkullimit, e postoi edhe në rrjetet sociale. Versus.al







