
Një grabitës shqiptar vodhi një dyqan bizhuterish në Madrit të Spanjës brenda katër minutave. Kamerat e sigurisë filmuan 42-vjeçarin shqiptar me iniciale S.M., teksa vodhi bizhuteri me vlerë 1.2 milionë euro dhe më pas u zhduk me shpejtësi nga qendra tregtare.
Pak ditë para grabitjes shqiptari bleu një mjet Hyundai Santa të vjetër për 4,000 euro dhe e përdori për të mbledhur informacion për dyqanin e argjendarisë. Ai u favorizua nga ndërprerja e energjisë elektrike në të gjithë zonën dhe kjo i dha mundësi të realizonte me sukses planin e tij.

"Kamerat e regjistruan atë për herë të parë në orën 9:00 të mbrëmjes duke ecur mbi çatinë e qendrës së madhe tregtare", shpjegon José, kreu i Grupit të Policisë Gjyqësore në stacionin e policisë së Alcobendas.
Duke përdorur një kaçavidë të thjeshtë, ai hapi vitrinat e rënda me bizhuteri të çmuara. Pa thyer asnjërën, i la xhamat në dysheme dhe zbrazi çdo raft.
"Ai u largua nga qendra tregtare. Nuk ishte fillestar, e kishte parkuar makinën larg që kamerat të mos e regjistronin. Kjo është ajo që na bën të mendojmë se nuk e kishte vjedhur makinën për grabitjen, se ishte e tija sepse donte t'i nxirrte sendet nga Spanja pa asnjë problem", shpjeguan hetuesit.
Policia arriti ta gjente 42 vjeçarin shqiptar, të dallonte makinën e tij dhe ta ndiqte deri në shtëpi. Ai përdorte pesë identitete të ndryshme. Gjashtë muaj pas ngjarjes shqiptari shkoi në komisariatin e Getafes për të plotësuar disa dokumente me pasaportën e tij të rreme dhe u arrestua.
