AKTUALITET /

Vrasja dhe rrëmbimi i Jan Prengës/ Përplasje mes prokurorëve për dënimin e Festim Bexhdilit: Burgim i përjetshëm apo 20 vite?

Shkruar nga Versus
Vrasja dhe rrëmbimi i Jan Prengës/ Përplasje mes prokurorëve
Festim Bexhdilla, Jan Prenga

Në seancën e fundit gjyqësore ndaj Festim Bexhdilit, të akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, janë regjistruar qëndrime të kundërta brenda vetë organit të akuzës.

Prokurorja Elida Kackini ka kërkuar lënien në fuqi të vendimit të GJKKO për dënimin me burgim të përjetshëm të të pandehurit, ndërsa prokurori tjetër i çështjes, Behar Dibra, ka propozuar rikualifikimin e veprës penale dhe një dënim më të lehtë prej 20 vitesh burg.

Kërkesa e prokurores Kackini: Bexhdili ka luajtur rol aktiv, dënimi është proporcional

Sipas prokurores Kackini, provat e paraqitura tregojnë qartë se Festim Bexhdili ka qenë pjesë aktive e rrëmbimit të Jan Prengës, i ndjekur për disa ditë përpara ngjarjes. Ajo theksoi se kompleksi “Golden”, ku ndodhi rrëmbimi, ishte i paracaktuar si vendngjarje dhe se Bexhdili është parë në kamerat e sigurisë duke u sjellë në mënyrë të dyshimtë në ambientet e kompleksit, duke ndjekur me vëmendje celularin dhe duke pritur në derën hyrëse të garazhit në momentin kur mbërriti makina Audi A6, që i përkiste Altin Hajrit.

“Veprimet tregojnë qartë një njohuri paraprake të ngjarjes. Ai nuk ka treguar asnjë pendesë, nuk ka kërkuar falje familjarëve të viktimës dhe ka mbajtur vetëm qëndrim mohues”, deklaroi Kackini, duke theksuar se dënimi me burg të përjetshëm është proporcional me rolin dhe përgjegjësinë e tij.

Prokurori Dibra kërkon rikualifikim të veprës: Nuk ka prova për përfshirje në grup të strukturuar kriminal

Në një qëndrim të ndryshëm, prokurori Behar Dibra vlerësoi se mungojnë provat që lidhin Festim Bexhdilin me një grup të strukturuar kriminal. Ai theksoi se praninë e të pandehurit në kompleksin “Golden” nuk mund ta konsiderojnë automatikisht si pjesëmarrje në rrëmbim apo vrasje.

“Bexhdili është kushëri i Altin Hajrit dhe punonte në kompleks. Prezenca e tij në orën 12:15 mund të justifikohet me detyrat e tij. Ndihma që ai ka dhënë në nxjerrjen e trupit nga makina nuk e bën domosdoshmërisht bashkëpunëtor në rrëmbim”, deklaroi Dibra, duke kërkuar një dënim me 20 vite burg.

Deklarata e Festim Bexhdilit: “Jam hallexhi, nuk kam lidhje me pengmarrjen”

Në një deklaratë emocionale përpara gjykatës, Festim Bexhdili mohoi çdo përfshirje në rrëmbimin apo vrasjen e Jan Prengës. Ai tha se ishte në vendngjarje vetëm për shkak të punës dhe se ndihmoi në transportimin e trupit nga frika. “Kushdo do bënte njësoj në atë situatë. Jam hallexhi. Ishalla bëhet drejtësi”, u shpreh ai.

Avokati: Prokuroria nuk ka prova konkrete, dënimi është i pabazuar

Avokati i Bexhdilit, Ilir Murati, theksoi se Gjykata e Lartë tashmë ka rrëzuar më parë një vendim për të njëjtën çështje dhe se prokuroria vijon të sillet me qëndrime të paqarta. Ai theksoi mungesën e provave direkte dhe kërkoi që gjykata të mos marrë vendim vetëm mbi bazën e dyshimeve.

“S’ka asnjë provë që Festimi ka qenë në dijeni të krimit. Ai u gjend aty dhe reagoi në mënyrë të gabuar, por nuk ishte pjesë e organizimit apo e grupit kriminal”, u shpreh Murati./Versus.al

Poll