Tiranë- Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën e arrestit me burg për Gjon Shkambin, xhaxhain e Elvis Shkambit i cili vrau gjyqtarin Astrit Kalaja më 6 tetor.
Po ashtu në burg është lënë edhe roja i sigurisë së gjykatës, Banush Koxhaj. Gjykata i ka vlerësuar si të ligjshme kërkesat e prokurorisë lidhur me të akuzuarit për vrasjen që tronditi të gjithë vendin duke shënuar një krim të paprecedentë.
Vrasja ndodhi gjatë mesditës menjëherë pasi Astrit Kalaja kishte dhënë vendimin mbi një pronë të cilët e pretendonin Elvis dhe Gjon Shkambi. Vendimi i marrë rezultoi në favor të palës tjetër dhe në atë moment 30 vjeçari, Elvis Shkambi nxorri armën dhe qëlloi tre herë drejt gjyqtarin. Xhaxhai i tij Gjon Shkambi e kishte paralajmëruar një tragjedi të tillë, ndërsa gjatë momentit të krimit mësohet se i është drejtuar nipit të tij me fjalët ‘na fike’. Në dëshminë e dhënë, ka pretenduar se nuk ka patur asnjë dijeni mbi aktin që do të ndërmerrte nipi i tij.
Nga ana tjetër, roja i sigurisë Banush Koxha gjatë dëshmisë së tij, i pyetur pse nuk kishte reaguar pasi skaneri kishte sinjalizuar armën e zjarrit “pistoletë”, u shpreh se kishte njoftuar personin përgjegjës se nuk ndihej mirë për shkak të diabetit dhe prandaj ishte ulur në karrige duke kërkuar zëvendësimin e tij gjatë të hënës së 6 tetorit. Versus.al

