
Teksa rrëfeu detaje mbi planifikimin e vrasjes së Bujar Çelës, vëllait të të shumëkërkuarit Suel Çela, Nuredin Dumani rrëfeu bashkëpunimin me njerëzit e biznesmenit të zhdukur Ervis Martinaj, po ashtu i shpallur në kërkim nga SPAK për operacionin “Plumbi i Artë”.
Dumani rrëfeu në sallën e gjyqit se një prej makinave tip “Renault” që u përdor për vrasjen e Bujar Çelës më 17 shtator 2020, u mor nga njerëzit e Ervis Martinajt.
I penduari i drejtësisë tregoi se mjeti ishte planifikuar të përdorej për të vrarë Preng Gjinin, por meqë nuk u realizua, u përdor për vrasjen e Bujar Çelës.
“Një nga makinat qe u perdor ne vrasjen e Bujar Çelës, një renault, u mor tek njerzit e Vis Martinit. Ky mjet madje ishte planifikuar për t’u perdorur në vrasjen e Preng Gjinit por ngaqë nuk u realizua, u përdor ne këtë vrasje”- tha Dumani.

Duke qenë se vrasja e Bujar Çelës u krye për hakmarrje, Dumani foli gjithashtu edhe për faktin sesi e kishte paralajmëruar të shumëkërkuarin Talo Çela të cilit i kishte kërkuar të takoheshin.
“Talo Çelës ja kam then ne sky hajde takohemi sqarohemi, se un do t’i vras të gjithë. Ka audio voice ne sky ecc ku ai më ka kthyer pergjigje edhe nga celulari Elio Bitrit, se kishte probleme me te shkuajturën shpejt. Talo Çela kishte urdhëruar Altin Ndocin të vriste vëllain tim. Unë për vrasjen e vllait te Talos nuk mora asnje lekë sepse u përfshiva per hakmmarje pasi u vra Klevis Kapllani, leket për vrasjen e Bujar Çelës i kanë sjellë të nesërmen në Vorë me një makine, pagoi Erjon Alibej”- shtoi vrasësi me pagesë.
Ndërsa duke iu përgjigjur pyetjes së bërë nga avokatët për bisedat me Enver Divën, një tjetër të arrestuar, Dumani tha se bëhej fjalë për vrasje me pagesë, por nuk përfshiheshin politikanë. Mes “pin”-eve që kishte përdorur Dumani në aplikacionin “Sky Ecc”, përmendi “Covid 19” “alkatraz”, “totorina”. Versus.al







