
Zbardhja e përgjimeve në Sky Ecc” në Greqi ka sjellë arrestimin e disa shqiptarëve, ndërsa janë zbardhur disa ngjarje kriminale të ndodhura në shtetin fqinj, ku përmendet edhe emri i Aleksandër Sadikajt, i cili në qershor të vitit 2022 u ekzekutua në Tiranë me bombë të telekomanduar në makinë.
Sipas gazetarit Artur Bibe, emri i Aleksandër Sadikajt përflitet si organizator i atentatit të ndodhur në shkurt të 2021-it në Stacionin e Larisës në Athinë ku mbeti i plagosur 32 vjeçari Ari Papa, i cili u vra 3 muaj më pas në një zonë tjetër të kryeqytetit grek.
Por ngjarja që solli këtë atentat me snajper ndaj Papës, ka qenë një ngjarje e mëhershme e ndodhur në 14 dhjetor të 2020-ës kur mbeti i plagosur kushëriri i Sadikajt, 16 vjeçari Rubin Kalemi ndaj të cilit u qëllua me armë zjarri teksa udhëtonte si pasagjer në makinën e drejtuar nga Viljan Boraj.
Sipas Top Channel, pas atentatit të ndodhur ku 16 vjeçari kishte mbetur i plagosur në shpinë, shqiptarët nuk kishin pranuar që të njoftonin policinë, duke ngjallur kështu dyshime tek të pranishmit.
Siç duket kjo ka qenë ngjarja që hapi më pas sagën e vrasjeve mes dy grupeve me ekzekutime që u shtrinë deri në Shqipëri, me vrasjen e Aleksandër Sadikajt në qershor të 2022-it të cilit i shpërtheu një bombë në makinën me të cilën udhëtonte pranë Teg-ut. Në dhjetor të 2022-it, në Tiranë u ekzekutua biznesmeni Edmond Papa, i njohur si rival i Sadikajt.
Vrasjet u shtrinë edhe në Memaliaj, ku gjatë të shtënave me armë në një prej lokaleve që zotërohej nga Andrea Kalemi, u vra babai i këtij të fundit dhe kamarieri që punonte aty. Me zbërthimin e bisedave në Sky Ecc në Greqi, janë goditur tashmë dis abanda grek-shqiptare në fushën e narko-trafikut dhe prostitucionit. Versus.al







