Punimet për zgjerimin e 5 kilometrave të parë të rrugës Tiranë-Durrës kanë nisur që prej shtatorit të vitit të kaluar me një afat kohor prej 2 vitesh. Sot kryeministri Edi Rama ka publikuar pamjet e ecurisë së punimeve të deritanishme ku bën me dije se korsitë shtesë janë drejt përfundimit.
“Mirëmëngjes, dhe me kantierin e superstradës Tiranë-Durrës, ku janë drejt përfundimit punimet për korsitë e reja të lëvizjes, ndërsa paralelisht ka nisur edhe rindërtimi i korsive të vjetra, ju uroj një ditë të mbarë”- shkruan Rama.
Rruga që lidh qytetin bregdetar me Tiranën është mbase ajo më e populluara gjatë vitit me qindra mijëra automjete që lëvizin çdo ditë. Fluksi është shumë i lartë gjatë sezonit veror, çka bën që edhe aksidentet të jenë të shpeshta për shkak edhe të gjendjes tejet të amortizuar të rrugës. Fillimisht bëhet fjalë për zgjerimin e korsive të 5 kilometrave të para të rrugës deri në mbikalimin e Rinasit, ndërsa ende nuk dihet se kur mund të nisë rindërtimi i plotë i saj. Versus.al







