
Hetimet për zhdukjen e Eraldo Muçit, 30-vjeçarit që rezulton i humbur prej dy javësh, vazhdojnë, ndërsa autoritetet ende nuk kanë informacion për vendndodhjen e tij. Babai i tij bëri kallëzim në stacionin policor të Memalijat më 24 qershor 2025, duke raportuar se djali i tij mungon që prej 15 qershorit.
Eraldo Muçi njihet si një nga miqtë më të afërt të Aleksandër Sadikajt, i njohur si “Sanço”, i cili humbi jetën në qershor të vitit 2022, kur makina e tij shpërtheu në autostradën Sauk-Teg.
Familjarët dyshojnë se Eraldo mund të jetë përfshirë në një ngjarje kriminale, megjithatë babai i 30 vjeçarit mohon që djali i tij të ketë pasur konflikte apo borxhe në zonën ku jeton.
Në një intervistë për “Blu Tv”, i ati tregoi se për herë të fundit Eraldo komunikoi me nënën e tij dhe më pas u nis për në Durrës, por që nga atë moment nuk është marrë më vesh asgjë për të.
“Ishte e diela e 15 qershorit, në mbrëmje, foli në telefon me të ëmën, e pyeti ça po bënte. I tha se po hante bukë me qepë, ca qepë të vogla. E që atë dite, me sa dini ju, dimë edhe ne. Sherr në fshatin Bylysh nuk ka pasur, edhe borxh nuk ka pasur. Këto dyja janë kryesore, borxhi dhe zënia, kaq. Pastaj, pas një jave bëra denoncimin në Memaliaj, kam vajtur 4-5 herë atje, bëra denoncimin, dokumentet, nuk kemi asnjë informacion deri tani.
Asnjë sinjal, se është i gjallë, se është i vdekur, ai është evlati im. Kam tre fëmijë. Nuk kishte asnjë problem, asnjë shqetësim. Kur është nisur, që ka ikur, është parë në Durrës, ka çuar makinën te karburanti i Sukthit, e la 3-4 ditë atje, vete ia merr një shok dhe e ka çuar te shtëpia. Kishte makinën e tij djali.
Ai ka shokë në çdo vend, në Memaliaj, Tepelenë, Durrës, kudo. Mund të jetë ndonjë shok i mirë, por mund të jetë ndonjë që i futi thikën dhe hajt ta gjej. Këto dyja janë. Jemi shumë të shqetësuar. Kam 17 ditë pa gjumë, jam e i moshuar 73-74 vjeç, po ça të bëjmë. Djali është 30 vjeç, ishte pa punë, kur i dilte ndonjë punë shkonte. Kisha një kredi në shtet, ato po ia laj unë. Nuk e di, kush e pa tek e pa, vetëm Zoti e pa atë punë. Atij që e ka parë, shokut i them të ma sjellë djalin në shtëpi”, është shprehur babai.







