
Një vatër zjarri është regjistruar këtë të mërkurë në malin e fshatit Voskopojë, në Korçë.
Sipas të dhënave paraprake, zjarri ka rënë në zonën e quajtur “Antenat”, ndërsa ndërhyrja e ekipeve të emergjencës është vështirësuar për shkak të terrenit të thepisur.
Drejt vendngjarjes janë nisur dy mjete të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSH), një automjet zjarrfikës dhe një mjet “pick-up” me efektivë për ndërhyrje. Në operacion janë angazhuar edhe forca të Njësisë Administrative Voskopojë dhe punonjës të Shërbimit Pyjor.
Për shkak të terrenit të vështirë, automjeti zjarrfikës nuk ka mundur të afrohet pranë vatrës së zjarrit, ndaj efektivët kanë vijuar ndërhyrjen në këmbë për të bërë të mundur izolimin e flakëve.
Autoritetet vendore bëjnë me dije se pas vlerësimit të situatës në terren do të koordinohen veprimet e mëtejshme për shuarjen e plotë të zjarrit dhe parandalimin e përhapjes së tij./Versus.al

