AKTUALITET /

Stuhia shkakton dëme në disa zona të vendit, rrëzohen kontejnerë në Portin e Durrësit. Pezullohet lundrimi në Sarandë

Në Sarandë, autoritetet kanë vendosur pezullimin e lundrimit në det për paraditen e 23 korrikut, pas paralajmërimeve për përkeqësim të motit dhe mundësinë e rikthimit të stuhisë.

Shkruar nga Versus

Stuhia shkakton dëme në disa zona të vendit, rrëzohen

Stuhia e fortë me reshje intensive shiu dhe erëra të fuqishme, që përfshiu mbrëmjen e së martës disa zona të vendit, ka shkaktuar dëme në infrastrukturë, probleme në rrjetin elektrik dhe ndërprerje të përkohshme të disa shërbimeve.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi se grupet e punës kanë qenë në terren që në momentet e para për normalizimin e situatës, ndërsa monitorimi vijon në të gjitha zonat e prekura.

Në Portin e Durrësit, stuhia rrëzoi disa kontejnerë bosh në Terminalin e Kontejnerëve, ku 8 prej tyre pësuan dëmtime të konsiderueshme. Autoritetet portuale po bashkëpunojnë me kompanitë përkatëse për të bërë vlerësimin e plotë të dëmeve, ndërsa aktiviteti në pjesën tjetër të portit vijon normalisht.

Probleme janë regjistruar edhe në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Sipas MIE, 21 fidera mbeten jashtë funksionit në rang vendi, kryesisht në Vlorë, Fier, Sarandë dhe Librazhd. OSSH ka angazhuar mbi 1 mijë punonjës në terren për riparimin e defekteve dhe rikthimin e furnizimit me energji.

Sa i përket infrastrukturës rrugore, Autoriteti Rrugor Shqiptar bën me dije se akset kombëtare kanë mbetur të kalueshme, ndërsa ekipet kanë ndërhyrë për pastrimin e gurëve dhe materialeve të rëna në rrugë.

Situata në rrjetin e transmetimit të energjisë dhe në kaskadën e lumit Drin paraqitet normale, pa problematika.

Në sektorin e ujësjellësit, defektet e shkaktuara nga moti janë riparuar në Sarandë, Durrës dhe Fier, megjithatë qyteti i Patosit vijon të mbetet pa ujë, për shkak të mungesës së energjisë elektrike në stacionin e Varibopit.

Ndërkohë, në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës janë regjistruar vetëm disa vonesa të lehta në fluturimet në mbërritje për shkak të kushteve atmosferike.

Në Sarandë, autoritetet kanë vendosur pezullimin e lundrimit në det për paraditen e 23 korrikut, pas paralajmërimeve për përkeqësim të motit dhe mundësinë e rikthimit të stuhisë. Kapiteneria u ka bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve të marrin masa paraprake për të shmangur rreziqet dhe dëmet e mundshme./Versus.al

Poll