
Gjykata e Posaçme e Apelit ka pranuar kërkesën e SPAK duke lënë në fuqi konfiskimin e pasurive të Eldi Dizdarit, të njohur ndryshe me emrin Denis Matoshi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia ku i është caktuar “arrest me burg” për trafik droge.
Sipas letërporosisë italiane, Dizdari rezulton të jetë i përfshirë në disa raste të trafikimit të kokainës që prej vitit 2015 e në vijim.
Konkretisht, janë sekuestrar pronat dhe pasuritë e mëposhtme:
Pasuria e llojit “Njësi”, e ndodhur në Zona Kadastrale nr.8160, Rruga “Bajram Curri”, Tiranë, me sip. totale 198.1m2, në pronësi të shtetasit Denis Matoshi;
Pasuria e llojit “Garazh”, e ndodhur në Zona Kadastrale nr.8160, Rruga “Bajram Curri”, Tiranë, me sip. totale 14.3m2, në pronësi të shtetasit Denis Matoshi;
Pasuria e llojit “Truall”, me sipërfaqe 5269 m2, Zona Kadastrale nr.8160, rruga “Dervish Hima”, Tiranë, pjesa takuese 2163/30000, në pronësi të shtetasit Denis Matoshi, pasuri që është në bashkëpronësi.
Të drejtën e shtetasit Denis Matoshi, për të përfituar vlerën e shpronësimit nga Komisioni i Posaçëm për Shpronësim për shpronësimin në pasurinë me nr. 6/380, Zona Kadastrale nr.8160, rruga “Dervish Hima”, si bashkëpronar në këtë pasuri në pjesë takuese 120005/1680000, me vlerë paraprake të shpronësimit 8.180.125.82 lekë.
Shuma e parave prej 40 000 (dyzetë mijë) Euro, ndodhur në llogarinë bankare të noterit;
Pasuria e ndodhur në Zona Kadastrale nr.8310, Rruga “Gjergj Legisi”, Tiranë, e llojit “Apartament” me sip. totale 65.32m2, në pronësi të shtetasit B.Sh.;
Pasuritë e konfiskuara të Dizdarit, do t'i kalojnë shtetit shqiptar nën administrim.
Eldi Dizdari njohet edhe si kryetari i bandës shqiptare të drogës “Kompania Bello” që merret me trafikun e kokainës dhe heroinës nga Amerika e Jugut drejt vendeve të Evropës. Ai shfaqet edhe në disa përgjime të anëtarëve të grupit “Ndragheta” në Itali. Ndërsa tani dyshohet se strehohet në Dubai, ku nuk mund të ekstradohet drejt vendeve ku është shpallur në kërkim pasi Emiratet e Bashkuara Arabe nuk kanë marrëveshje ekstradimi. Versus.al







