
Prej vitesh emri i kompanisë së naftës “Bankers Petroleum” është përfolur në skandale të mëdha dhe abuzimin e burimeve natyrore të vendit dhe shmangien e detyrimeve tatimore për shtetin shqiptar. Por vetëm së fundmi, autoritetet duket se kanë vendosur të ndërmarrin veprime ndaj shkeljeve të dyshuara të kryera nga kjo kompani.
Mbrëmjen e djeshme, inspektorë të tatimeve dhe efektivë policie u shfaqën në zyrat e kompanisë në Fier ku mësohet se kanë arrestuar drejtuesin e saj kinez Hongping Xiao, ish-drejtorin e përgjithshëm Leonidha Çobo dhe disa drejtues të tjerë të niveleve të larta. Raportohet se numri i të arrestuarve shkon në 10 persona, 4 prej të cilëve u është caktuar masë sigurie “arrest shtëpie”. Ndërkohë janë shpallur në kërkim edhe 4 kinezë të emëruar nga kompania mëmë e Bankers Petroleum që është e regjistruar “offshore” në ishujt Cayman dhe Hong Kong. Ky fakt e bën të vështirë gjurmimin e pronarëve përfitues nga nxjerrja e burimeve natyrore shqiptare.
Dyshimet ndaj kompanisë
Hetimet e nisura në dy vitet e fundit mësohet se kanë nxjerrë zbuluar skemën e evazionit fiskal të ndjekur nga kompania në zonën naftëmbajtëse të Patos Marinzës. Dyshohet se përmes faturave fiktive, fryrjes së investimeve dhe shmangies së detyrimeve tatimore, është shkaktuar një dëm i madh ekonomik për shtetin shqiptar. Dhjetëra milionë euro që duhet të ishin paguar si taksa, janë shmangur nga pronarët e kompanisë përmes këtyre skemave fiktive duke i përdorur më pas paratë për blerje të pasurive luksoze dhe transaksione të tjera jashtë vendit.
Përplasjet e Bankers me shtetin shqiptar
Marrëveshja me kompaninë “Bankers Petroleum” e cila zotërohej fillimisht nga kanadezë, u firmos në vitin 2004 nga qeveria shqiptare që asokohe drejtohej nga Fatos Nano. Bankers mori në përdorim për 25 vite zonën naftëmbajtëse Patos-Marinzë e cila kishte potencial të madh të nxjerrjes së naftës.
Mosmarrëveshjet me kompaninë kishin nisur në vitin 2011-2012 kur AKBN (Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore), nga një audit i kryer konstatoi se kompania kishte fryrë shpenzimet e deklaruara për investimet që po bënte, me qëllim që të dilte pa fitim dhe të shmangte tatimin. AKBN në auditet e saj kishte konstatuar se Bankers Petrolium kishte raportuar vetëm humbje në bilancet e saj, vetëm për të mos paguar tatim fitimin në buxhetin e shtetit shqiptar.
“Rezultati i mosmarrëveshjes është se Bankers do të duhet t’ i kthejë Shqipërisë shuma për llogari të fushës naftëmbajtëse të Patos Marinzës. Kjo do të rrisë fitimet historike të fushës së naftës dhe do të çojë në pagesa të tatimit mbi fitimin ndaj shtetit”, saktësonte në njoftimin e saj, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Ndërsa në qershor të vitit të kaluar, Shqipëria fitoi gjyqin në arbitrazhin ndërkombëtar me këtë kompani e cila kishte kërkuar t’i njiheshin shpenzime prej 236 milionë dollarësh.
Ndërkohë, autoritetet e policisë dhe prokurorisë së Fierit pritet të dalin me një njoftim zyrtar lidhur me rastin dhe aksionin e zhvilluar mbrëmë në zyrat e kompanisë ku hasën edhe rezistencë. Versus.al







