BOTA /

Tërmetet në Santorini, shkencëtarët po shqyrtojnë skenarin më të keq

Qytetarëve u kërkohet të zbrazin pishinat në Kalderë, pasi luhatja e ujit po ngarkon strukturat.

Shkruar nga Versus

Tërmetet në Santorini, shkencëtarët po shqyrtojnë

Greqi-Aktiviteti sizmik i vërejtur në 24 orët e fundit në Santorini dhe zonën përreth ka shkaktuar shqetësim të madh tek autoritetet dhe shkencëtarët.

Sipas vullkanologut-studiuesit të Autoritetit Helen të Kërkimeve Gjeologjike dhe Minierave, Georgios Vougioukalakis, zona është në një krizë sizmike, me mbi 200 lëkundje të regjistruara në 48 orët e fundit, shkruan media helene Prothema.gr.

Epiqendra janë të vendosura kryesisht në Anhidros, një ishull i pabanuar pranë Santorinit, gjë që ngre shqetësime.

Sipas z. Vougioukalakis, bazuar në të dhënat, shteti vendosi të shtrijë masat e sigurisë edhe në ishujt fqinjë Amorgos, Anafi dhe Ios, për të shmangur situatat e panikut dhe për të garantuar mbrojtjen e banorëve.

Një nga masat e rëndësishme të rekomanduara nga ekspertët është zbrazja e ujit të pishinave në Caldera, siç shpjegoi z. Vougiouklakis, lëvizja e ujit në rast të një tërmeti të fortë mund të shkaktojë dëmtime në struktura dhe të rrisë rrezikun e shembjes.

Skenari për një tërmet me magnitudë 6 që po shqyrtojnë shkencëtarët

Skenari i rastit më të keq që shkencëtarët po shqyrtojnë është një tërmet me magnitudë 6 ballë. Siç tregon studiuesi me përvojë, vazhdon më  tej media helene në shkrimin e saj, aktiviteti sizmik në zonë është vullkanotektonik dhe lidhet me thyerjen aktive që shtrihet nga Amorgos në Christiana.

Llogaritjet tregojnë se një tërmet nuk duhet të kalojë 6 ballë të shkallës Rihter, ku gjasat për të shkaktuar dëme të mëdha janë të kufizuara.

“Objektet më të reja që janë ndërtuar në përputhje me rregulloren aktuale antisizmike nuk do të kenë probleme serioze. Megjithatë, ndërtesat e vjetra janë më të cenueshme. “Një tërmet me magnitudë 6 nuk pritet të ketë pasoja katastrofike”, thekson z. Vougiouklakis.

Edhe pse fenomeni po monitorohet nga afër, shkencëtarët sigurojnë se nuk ka rrezik të menjëhershëm të aktivitetit vullkanik. /Versus.al

Poll