BOTA /

Hyn sot në fuqi Pakti për Migracionin dhe Azilin, në fokus qendrat e kthimit jashtë BE-së

Vendet e BE-së po përshtatin legjislacionin kombëtar, po forcojnë kontrollet në kufijtë e jashtëm dhe po krijojnë mekanizma monitorimi për mbrojtjen e të drejtave themelore

Shkruar nga Versus

Hyn sot në fuqi Pakti për Migracionin dhe Azilin, në fokus

Bashkimi Evropian ka nisur zbatimin e plotë të Paktit të ri për Azilin dhe Migracionin, një reformë e gjerë që synon të ndryshojë mënyrën e menaxhimit të migracionit, procedurat e azilit dhe kthimin e personave që nuk përfitojnë mbrojtje ndërkombëtare.

Një nga elementët më të diskutuar të reformës është krijimi i “qendrave të kthimit” në vende të treta jashtë territorit të BE-së. Në këto qendra mund të transferohen migrantët dhe azilkërkuesit, kërkesat e të cilëve janë refuzuar përfundimisht nga autoritetet evropiane.

Sipas një raporti të Komisionit Evropian, shumica e shteteve anëtare kanë bërë progres të rëndësishëm në përgatitjet për zbatimin e rregullave të reja. Vendet e BE-së po përshtatin legjislacionin kombëtar, po forcojnë kontrollet në kufijtë e jashtëm dhe po krijojnë mekanizma monitorimi për mbrojtjen e të drejtave themelore.

Reforma parashikon gjithashtu procedura më të shpejta për shqyrtimin e kërkesave për azil, si dhe rritjen e kapaciteteve për transferimin e azilkërkuesve drejt shtetit përgjegjës për trajtimin e dosjes së tyre.

Pakti, i miratuar në maj të vitit 2024, përbëhet nga dhjetë akte legjislative dhe konsiderohet si reforma më e madhe e politikës migratore evropiane në vitet e fundit. Synimi kryesor është krijimi i një sistemi të përbashkët evropian për azilin dhe migracionin, me mbrojtje më të fortë të kufijve dhe shpërndarje më të drejtë të përgjegjësive mes vendeve anëtare.

Megjithatë, zbatimi i reformës vijon të shkaktojë debat, veçanërisht për çështjen e qendrave të kthimit jashtë BE-së, të cilat kritikët i konsiderojnë problematike nga këndvështrimi i të drejtave të njeriut.Versus.al

 

Poll