Delcy Rodríguez u betua si presidente e përkohshme e Venezuelës në një seancë parlamentare që filloi me kërkesat për lirimin nga paraburgimi i SHBA-së të udhëheqësit të rrëzuar Nicolás Maduro.
Rodríguez, 56 vjeç, nënkryetare që nga viti 2018, tha se ishte e pikëlluar nga ajo që e quajti "rrëmbim" i Maduro-s dhe gruas së tij, Cilia Flores, të cilët u kapën nga forcat amerikane në një bastisje gjatë natës të shtunën. Megjithatë së fundmi, nga rrethi i Maduros ajo po konsiderohet si 'tradhtarja' që bëri pakt të fshehtë me amerikanët para se e gjithë kjo të ndodhte.
Në një skenë dramatike brenda një salle gjykate në Nju Jork dy orë më parë, Maduro këmbënguli se ishte ende president i Venezuelës, ndërsa u deklarua i pafajshëm për katër akuza për trafik droge dhe terrorizëm.
Ndërkohë, SHBA-të u përballën me kritika të ashpra në OKB, por ambasadori i SHBA-së u përgjigj se rezervat më të mëdha të energjisë në botë nuk mund të liheshin në duart e një udhëheqësi të paligjshëm, një "të arratisur nga drejtësia".
Para paraqitjes në gjykatë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së mbajti një seancë urgjente për të diskutuar situatën në Venezuelë.
Ambasadori i Venezuelës, Samuel Moncada, tha se vendi i tij kishte qenë shënjestër e një "sulmi të armatosur të paligjshëm pa asnjë justifikim ligjor". Ambasadori i SHBA-së në OKB, Mike Waltz, e justifikoi sulmin duke e përshkruar Maduron si "një të ashtuquajtur president të paligjshëm".
Waltz shtoi se SHBA-të kishin kryer një "operacion kirurgjikal të zbatimit të ligjit" për të kapur Maduron, të cilin ai e quajti edhe një "të arratisur nga drejtësia".
Maduro është akuzuar për konspiracion narko-terrorizmi, konspiracion importimi kokaine, posedim mitralozish dhe pajisjesh shkatërruese dhe konspiracion për të poseduar mitralozi dhe pajisje shkatërruese. Versus.al



